EmailFacebookKontakt

Kolokium ndërkombëtar për muzikën fetare

Me inisiativën e Qendrës Evropiane për kërkimet dhe interpretimin e muzikës mesjetare, në Francë u zhvillua kohët e fundit një kolokium ndërkombëtar mbi muzikën fetare. Ky takim shkencor kishte për objektiv të hidhte një urë midis historianëve dhe muzikologëve të Perëndimit mesjetar dhe specialistëve të traditave muzikale bizantine.

Pjesëmarrësit u interesuan për historinë e shkollave muzikore dhe gjendjen e katalogëve dhe koleksioneve, për probleme të repertorëve muzikorë dhe zhvillimin e tyre deri në reformat moderne, për marrëdhëniet e muzikës bizantine me traditat sllave dhe rumune, nga njëra anë, dhe atë siriane dhe latine nga ana tjetër. U theksua, se shumë elemente të psalmeve – këngë të ndryshme, që këndoheshin gjatë Liturgjive në Perëndimin mesjetar, janë në lidhje me elemente të muzikës bizantine të asaj kohe, gjë, që thekson edhe një herë origjinën, formimin dhe estetikën e tyre vokale.

Gjatë zhvillimit të këtij kolokiumi, kori bizantin i Athinës, i drejtuar nga Likurgos Angjellopulos dha një koncert në katedralen e Shën Stefanit dhe një koncert tjetër në Ruen.