EmailFacebookKontakt

Kishë në tren

Në tetor ka filluar nga Moska një mision tepër i veçantë kishtar. 6 priftërinj, janë nisur me një tren-kishë drejt zonave veriore e verilindore të vendit, ku kishat u shkatërruan gjatë regjimit sovjetik. Ata do të ndalojnë në qytetet ku jeta kishtare ka humbur nga periudha e persekutimit, ku do të bëjnë Liturgji hyjnore, pagëzime, martesa etj.

Një mision i tillë mjaft i suksesshëm nisi në vitin 1998, duke kaluar në qytete e fshatra të izoluara, në një rajon 2000 km në jug të Moskës.

“Ne e bekojmë këtë kishë, që ajo të ndihmojë popullin të rikthehet tek besimi i tij”,- tha Patriku Aleksej II, duke përuruar trenin në ditën e nisjes së tij. Në të ishte i pranishëm edhe ministri rus i hekurudhave, institucioni i të cilit paguan të gjitha shpenzimet.

Nga jashtë vagonat janë lyer me blu dhe ngjyrë ari, dhe janë vendosur ikona të mëdha të Perëndilindëses, të Cilës i dedikohet edhe ky mision. Në brendësi, e cila është 20 m e gjatë, ka çdo gjë i nevojitet një kishe orthodhokse. Priftërinjtë do ndihmohen edhe nga një grup seminaristësh, të specializuar në punën misionare, që do ndihmojnë në shërbesat dhe do psalin.