Viti që sapo kaloi solli në mjaft qytete e fshatra të Shqipërisë bekimin e kishave të reja të përfunduara apo të filluara.
Eshtë dëshira më e madhe e gjithë besimtarëve t’i shohin përsëri ato në këmbë, atje ku tufani ateist u përpoq t’u zhdukte edhe kujtimin. Të dëgjojnë fjalën dritëdhënëse të Perëndisë atje ku e kanë dëgjuar edhe të parët e tyre. Të pagëzohen, martohen e varrosen sipas Mistereve të Shenjta në vendet e bekuara nga Perëndia.
Por, kjo gjë po bëhet edhe atje ku ndryshimet demografike kanë zgjeruar komunitetet orthodhokse, të cilat kërkojnë me shumë dëshirë e këmbëngulje tempuj ku t’i luten Zotit. Ky kujdes po tregohet edhe për kishat që ende janë në këmbë, plotësisht apo pjesërisht, për një pjesë të të cilave ka filluar restaurimi e rindërtimi apo janë gati projektet për këtë. Këto masa janë marrë edhe për të pajisur kishat e reja dhe të vjetra me gjithçka duhet për të kryer ritet e shenjta.
Shpresojmë se asaj çka u arrit deri tani, viti 1994 t’i shtojë edhe kthimin e atyre kishave e manastireve, duke nisur nga Ardenica, që ende na mbahen nga shteti, si dhe të na jepen sheshet e reja të ndërtimit atje ku është kërkuar, duke nisur nga Shkodra.
Në foto: Pamje nga Kisha e re e Maliqit.
Kisha e re parafabrikat e qytetit të Delvinës po hedh shtat shpejt.
Korresp. i “Ngjalljes”