EmailFacebookKontakt

Kisha vazhdon të jetë banesë – Orthodhoksët nuk munden akoma të falen në të

Libohovë

Kisha vazhdon të jetë banesë
– Orthodhoksët nuk munden akoma të falen në të –

Vëmendja është përqendruar kohët e fundit në ecurinë tragjike të përpjekjes që po bëjnë segmente të caktuara të mekanizmit shtetëror për të rishtetëzuar kishën e shumëvuajtur “Lindja e së Tërëshenjtës”, në Përmet. Por për Komunitetin Orthodhoks në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës një shqetësim i të njëjtave ngjyra dhe përmasave ndoshta më ofenduese është edhe rasti i kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Libohovë.

Kjo kishë e mrekullueshme, e ndërtuar në vitet 1850-të, në një pozicion dominues në qytezën e Libohovës, si qindra kisha dhe manastire të tjera në vitet e ateizmit u shkatërrua në interierin e vet dhe u shndërrua në pallat banimi, ku u strehuan familje libohovite dhe të ardhura.

Ndërhyrje u bënë në fasadë dhe muraturat e tjera: u rrëzua kambanorja, u mbyllën dritare, u shkatërrua portiku i mrekullueshëm, u hoq korniza e gurit në përfundim të muraturave etj.

Në vitet e paspersekutimit u desh të bëheshin të gjitha veprimet e nevojshme juridike: Gjykata e Gjirokastrës, me vendimin e saj të datës 24.6.1994, njohu faktin e pronësisë së Kishës Orthodhokse mbi këtë godinë. Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të Bashkisë së Libohovës, me Vendimin Nr. 75, të datës 25.1.1996, ia ktheu këtë godinë Komunitetit Orthodhoks të Libohovës. U desh që këta besimtarë të paguajnë shumën prej 25.7% të vlerës së godinës për punimet e përshtatjes së saj në apartamente banimi, ndonëse askush nuk i kishte pyetur ata për të bërë shkatërrimin e kishës dhe sidomos, gjithë asaj stolie të brendshme me vlera të pallogaritshme artistike, adhuruese dhe shpirtërore…

Këtë shumë e siguroi Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi në përgjigje të lutjes së besimtarëve orthodhoksë të Libohovës.

Me porosi të Tij gjithashtu specialistë nga Zyra e Shërbimit Teknik vizituan në mënyrë të përsëritur veprën për të kryer rilevimin e saj dhe për të bërë një propozim rikonstruksioni për të rikthyer në identitetin dhe destinacionin e vet këtë godinë.

Nga tri prej familjeve të vendosura në të, nga një u tregua mirëkuptim dhe u larguan prej godinës.

Dy të tjera prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë atje dhe tregojnë një agresivitet të pashembullt ndaj kujtdo që u rikujton faktin se atje është kishë dhe se është një sakrilegj e vërtetë që dikush të vazhdojë të jetojë në atë vend ku ka qenë Altari, Tavolina e Shenjtë, madje e përuruar me lipsanet e shenjta të shenjtorëve.

Nga ana e besimtarëve orthodhoksë libohovitë dhe nga ana e Mitropolisë së Gjirokastrës janë kryer të gjitha veprimet ligjore si dhe letërkëmbimet me instancat shtetërore dhe autoritetet e pushtetit lokal, por në të gjitha rastet indiferenca dhe shpirtngushtësia është e dënueshme.

Ky fakt përbën ende një shembull të diferencimeve, me të cilat përballen problemet shpirtërore të adhurimit dhe të pronësisë për komunitetin orthodhoks. Dëshmon në mënyrë bindëse për ndryshimin e madh midis pendimit esencial që ka ndodhur në shpirtrat e njerëzve dhe mosreflektimit të këtyre zhvillimeve tek makina shtetërore si dhe për distancën ende të gjatë për realizimin e të drejtës së ligjshme të rikthimit të pronësive të komuniteteve fetare në veçanti mbi objektet e adhurimit…

Korresp. i “Ngjallja”