EmailFacebookKontakt

Kisha të reja dhe të restauruara në Mitropolinë e Gjirokastrës

Kisha e restauruar e Shën Parashqevisë (Shën e Premtes), në Sheper

Kisha e Shën e Premtes (Parashqevisë), në Sheper ngrihet në një vend mjaft piktoresk dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 1600 m2, nga të cilat 360 m2 i zë kisha. Vetëm një vit më parë ajo ishte gjysmë e rrënuar. Çatia fuste brenda çbinte jashtë dhe muret rrezikonin të shembeshin (foto lart). Kjo e bënte urgjente ndërhyrjen pë restaurimin e saj. Kështu, me një fond prej afro 30 mijë dollërësh, të siguruara nga Kryepiskopi Anastas, u bë i mundur restaurimi i kishës, me projekt të prof. dr. Pirro Thomos. Tashmë restaurimi, siç shihet edhe nga fotografitë, ka mbaruar.

Ringritja e Kishës “Fjetja e Hyjlindëses” në Dhivër, Sarandë

Ajo, siç mund të shihet edhe nga fotografia e vogël poshtë, ishte shkatërruar e kthyer në një shtëpi kulture. Pas rikthimit të pronës (kisha ka një truall prej 1000 m2, nga të cilat 200 m2 i zë godina e saj), me fondet e siguruara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, u bë e mundur që në vitin 2000 të nisnin punimet për ringritjen e saj, punime të cilat përfunduan në vitin 2002.

Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses në Dhivër ka formën e kryqit, me lartësi 7 metra dhe me një kambanare të lartë 13 metra. Ajo është e ndërtuar sipas traditës me gurë karakteristikë për zonën, traditë që është ruajtur edhe në rregullimin e territorit përreth saj.