EmailFacebookKontakt

Kisha si trupi i Krishtit

Një nga devijimet tragjike të së ashtuquajturës fe moderne është prania e “Krishtërimit pa Kishë”. Pretendimi është se është Krishti Ai që na shpëton, jo Kisha, kështu që “e vetmja gjë që kemi nevojë është Iisui”.

Shumë pak nga ata që pretendojnë se janë të Krishterë do të argumentonin kundër asaj se është Krishti Ai që shpëton. Sepse Ai është Biri i përjetshëm i Perëndisë, i Cili mori trup njerëzor dhe e bëri këtë “për ne dhe për shpëtimin tonë”. Ndaj Apostulli i shenjtë Pavli shkruan: “Sepse një është Perëndia, një është edhe Ndërmjetësi midis Perëndisë edhe njerëzve, Njeriu Iisu Krisht” (I Tim. 2:5).

Por, nga fakti se ky Ndërmjetës krijoi Kishën, e cila është trupi i Tij, ne, që jemi bashkuar me Të jemi të bashkuar me Kishën e Tij gjithashtu. Të thuash se do Krishtin, i Cili është Kreu i Kishës e në të njëjtën kohë të mohosh trupin e Tij (Kishën) do të thotë të mohosh mësimet e Dhjatës së Re.

Ungjilli dhe Veprat e Apostujve: Fjala “Kishë” (gr. ecclesia) në Dhjatën e Re përdoret për herë të parë në Ungjillin pas Mattheut, kur Zoti ynë i jep aprovimin e Tij pohimit të besimit nga ana e Apostullit të shenjtë Petri dhe premton: “Do të ndërtoj Kishën Time” (Matth. 16:18). Iisu Krishti ndërton e ne bashkëpunojmë me Të.

Libri i Veprave të Apostujve shpalos më tej atë që tha Iisui në Ungjillin pas Mattheut, kapitulli i 16-të. Kur mbaroi predikimi i Apostullit të shenjtë Petri Ditën e Pendikostisë, ata që ishin të pranishëm kërkuan udhërrëfim drejt shpëtimit: “Çfarë të bëjmë?” (Vep. 2:37). Duke pranuar fjalën e Petrit, tre mijë veta u pagëzuan dhe u bashkuan me besimtarët e tjerë (Vep. 2:38, 41).

Pasi u bashkuan me Krishtin e Kishën e Tij, këta besimtarë të pagëzuar filluan jetën e tyre si trupi i Krishtit. Ne i shikojmë ata të interesohen për njeri-tjetrin, të përdorin gjërat e tyre personale për t’u kujdesur për njeri-tjetrin duke vazhduar së bashku në lutje dhe Eukaristi (Vep. 2:42-47). Që nga ky çast dhe në vazhdim “Zoti shtonte për ditë në Kishë ata që shpëtonin” (Vep. 2:47) dhe gjatë gjithë Veprave të Apostujve, Kisha ndërtohet ndërkohë që ungjilli i Krishtit po përhapet.

Letrat e Apostujve: Porositë e Apostullit të shenjtë Pavli në letrat e tij dërguar kishave në gjithë Mesdheun lindor tregojnë qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i Krishtit: të jesh Kisha dhe të jesh në Kishë. Në asnjë pjesë tjetër të Dhjatës së Re nuk na jepen mësimet e Apostullit të shenjtë Pavli mbi Kishën më të plota se në letrën e tij dërguar Efesianëve në kapitullin 4. Ai na mëson:

1. Kisha është një, “që kujdeset të ruajë bashkimin e Shpirtit të Shenjtë me anë të lidhjes së paqes” (Efes. 4:3). Ka një Kishë, një Perëndi, një doktrinë, një pagëzim.

2. Kisha janë njerëzit, burrat dhe gratë, mbi të cilët ka vepruar Shpirti i Shenjtë. Sepse “secilit prej nesh iu dha hiri sipas masës së dhurëtisë së Krishtit” (Efes. 4:7). Nuk na janë dhënë të gjithëve të njëjtat dhurata, por së bashku jemi pajisur në mënyrë të tillë që të bëjmë dëshirën e Perëndisë.

3. Kreu i Kishës është Krishti, “prej të Cilit tërë trupi [është] i përmbledhur bashkë dhe i lidhur bashkë” (Efes. 4:14, 16).

4. Kisha është “njeriu i ri” (Efes. 4:24), krijesa e re, e krijuar për të qenë e drejtë dhe e shenjtë. Ne nuk jemi më të larguar nga jeta e Perëndisë (Efes. 4:18), po përtërihemi së bashku (Efes. 4:23) “anë të njeri-tjetrit” (Efes. 4:25).

Kisha, pra, është ai vend i krijuar nga Krishti ku secili prej nesh mund të bëhet ajo për të cilën jemi krijuar, duke u pjekur dhe u perfeksionuar, ndërkohë që Kisha merr jatë që i duhet nga secili prej nesh, duke u perfeksionuar edhe ajo gjithashtu. Kisha si trupi i Krishtit na çon ne përtej preokupimeve tona personale, të vogla dhe tokësore, duke shtrirë vizionin tonë drejt së përjetshmes dhe qiellores sikundër ne ngrihemi së bashku t’I lutemi Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

Marrë nga THE ORTHODOX STUDY BIBLE