EmailFacebookKontakt

Kisha Orthodhokse e pranishme në Panairin e 7-të të librit

Nga data 3-8 nëntor në Tiranë u organizua nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë Panairi i 7-të i librit, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Zotit Alfred Moisiu.

Panairi u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve, si dhe nga Bashkia e Tiranës.

Në këtë panair edhe Kisha Orthodhokse u paraqit në mënyrë dinjitoze me botimet e veta cilësore.

Stenda jonë u vizitua nga qindra e qindra njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme, të cilët blenë një sasi të konsiderueshme librash.

Në stendën tonë erdhën dhe folën fjalët më të mira Presidenti i Republikës, kryetarë partish, ministra, diplomatë të huaj të akredituar në Shqipëri etj. Stendën e vizitoi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, që është njëkohësisht dhe nismëtari e mbështetësi material për botimet tona. Të gjitha botimet tona kanë dalë në dritë nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Tij.

Gjithashtu, stendën e vizitoi dhe Hirësia e Tij, Ilia.

Ndër librat e paraqitura në stendën e Kishës Orthodhokse tërhoqën vëmendjen disa botime të reja si: “Nga thesari i shenjtorëve”, “Uratorja”, “Shqipëria Turistike” etj. Por publicitetin më të madh e pati dalja e librit “Globalizmi dhe Orthodhoksia” shkruar nga Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi. Të gjitha kopjet që patën mundësi të ekspozoheshin për arsye kohe u blenë nga intelektualë të fushave të ndryshme.

Ky panair pati një nxitje edhe në drejtim të paraqitjes sa më të mirë grafike të librave.