EmailFacebookKontakt

Kisha orthodhokse bekim per shqiperine

«Qoftë e bekuar Perëndia … që pas përdëllimit të saj të shumtë na lindi përsëri në një shpresë të gjallë …» (1 Pjetr. 1:3). Me tronditje shpirti, me drojtje dhe mirënjohje ndaj Perëndisë së Trinishme e të Tërëshenjtë dhe ndaj gjithë atyre, të cilët Ai përdori për të kryer vullnetin e Tij të pakuptueshëm, po jetoj tërë këto që po ngjajnë në këto ditë. Fraza e Hyjlindëses tonë të Tërëshenjtë në çastin e Ungjillëzimit «si do të jetë kjo punë» (Luk 1:34), më pushtoi, kur m’u kërkua nga Patrikana Ekumenike e nderuar, të vij në këtë vend të martirizuar për riorganizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Por, edhe kur ky mision si eksark patriarkal i Fronit Ekumenik, po kthehet tani në një shërbim të ri, përsëri po ajo frazë kritike mbizotëron në zemrën time në këtë orë të fronëzimit tim në kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Tiranës. Në vetminë e qelisë sime të thjeshtë këtu në Tiranë, në Gjethsimaninë personale të veçantë, me sinqeritet u luta kohët e fundit: «O Atë, po të jetë e mundur, le të mos e provoj këtë kupë» (Mat. 26:39).

Nga ana e jashtme, ngado që ta kthejë njeriu vështrimin e tij në kaosin e pakufi, në gërmadhat që krijoi persekutimi afro pesëdhjetëvjeçar, të gjitha, e në mënyrë simbolike bunkerët e panumërt, theksojnë vendin e Kreut, në të cilin po ecim. Mirëpo nga ana e brendshme, me sytë e besës, të gjitha këto ndriçohen nga shkëlqimi mistik, nga shpresa dhe nga fuqia e Ngjalljes që bashkekziston te Kryqi i Krishtit. Këtë mision të ri, të cilin Kisha më ngarkoi, e ndriçon me dritë të bekuar e ngushëlluese tradita e gjatë martirike e këtij vendi, e cila nis me martirizimin e Shën Astit, Episkop i Durrësit, nga mbarimi i shekullit të parë pas Krishtit dhe arrin gjer në vuajtjet e rënda gjatë persekutimit të fundit të shumë njerëzve të njohur e të panjohur, laikë e klerikë si të Kryepiskopit Kristofor dhe të episkopit Irine. Eshtë ky një rast i ri jo vetëm shërbimi por edhe njohjeje: «për të njohur Atë dhe fuqinë e Ngjalljes së Tij» (Filip. 3:10).

I jam mirënjohës nga thellësitë e shpirtit e të zemrës Perëndisë së Tërëmirë për mëshirën e Tij të pakufishme që tregoi për mua mëkatarin; përhiroj Iisu Krishtin, Zotin tim, i cili vuri si besnik për të «shërbyer» mua shërbëtorin e Tij të pavyer. Mirënjohje të sinqertë i shpreh Tërëshenjtërisë së Tij të Hyjshme Patrikut Ekumenik Imzot Varthollomeut dhe Sinodhit të Shenjtë e të Hirshëm, të cilët me zgjedhjen kanonike të modestisë sime, më bënë Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, duke besuar në shpatullat e mia të pafuqishme veprën e ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Me ndjenja falenderimi dhe dashurie përqafoj besimtarët e zgjedhur dhe të vuajtur orthodhoksë të Shqipërisë, të cilët me shumë mënyra shprehin besimin dhe devocionin e tyre ndaj modestisë sime dhe që nëpërmjet organeve kishëtare kërkuan të qëndroj si kryebari pranë tyre. Falenderoj ngrohtësisht udhëheqësin e Shqipërisë Demokratike, Presidentin Dr Sali Berisha, i cili dha pëlqimin e tij fisnik me kënaqësi që unë të ngarkohem me këtë përgjegjësi historike. Të gjithë këta faktorë bënë që të thyheshin hezitimet dhe frika ime e fillimit, të thyheshin arsyetimet e logjikës, duke më bindur se e vetmja gjë që kisha të drejtë të shprehja në këto rrethana ishte përsëritja paqësore: «u bëftë dëshira jote» o Zot. «Sa të pavëzhgueshme janë gjykimet e Tua, e sa të pakuptueshme udhët e Tua» (Rom. 11:33).

II

Diktatura ateiste që mbajti në këtë vend afro gjysëm shekulli, profanoi në mënyrë të paskrupullt institucionet tona të shenjta, konfiskoi pasurinë kishëtare, shthurri çdo element përbërës institucional. Para vitit 1967, para se Shqipëria të shpallej «i pari shtet ateist i botës» dhe megjithë persekutimin indirekt të periudhës pararendëse (1944-1967), në Shqipëri ka pasur 4 Mitropoli, 19 rrethe mitropolitane, mbi 300 famulli dhe 25 manastire të hirshme. Në Shqipërinë paskomuniste, gjëra themelore të cilat gjetiu konsiderohen të vetkuptueshme (si p.sh. ekzistenca e një sinodhi episkopësh, një numër i mjaftueshëm priftërinjsh, murgjër, banesa mitropolitane, manastire të hirshme, shkolla e të tjera), mbeten akoma «ëndrra», synime, për të cilat duhet të luftojmë fuqishëm në të ardhmen e afërt e të largët. Nisemi pothuajse nga zeroja.

1. E para, për të cilën i lutemi Perëndisë, është të gjendet në një kohë sa më të shkurtër mënyra e formimit të plotë të Sinodhit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që kjo të mund të gëzojë vend të barabartë në gjirin e të gjitha kishave Orthodhokse të botës. Për fat të mirë, në gradat e priftërinjve dhe të dhjakonëve, ka mbetur një numër fare i vogël nga e kaluara. Nga priftërinjtë e dhjakonët e hirotonisur para vitit 1967 vazhdojnë të shërbejnë 10 priftërinj e një kryedhjakon (kurse 8 priftërinj e 1 dhjakon janë ose të sëmurë ose në moshë tepër të madhe). Mbështetja shpirtërore dhe ekonomike e klerikëve Orthodhoksë të Shqipërisë e cila filloi menjëherë sa u vlerësuam të udhëtojmë në tokën e vuajtur të Shqipërisë, do të vazhdojë pa kursim, si edhe seleksionimi dhe përgatitja e të rinjve. Vitin e fundit hirotonisëm 6 priftërinj dhe 19 dhjakonë, ndërsa 12 dhjakonë të tjerë do të hirotonisen muajin e ardhshëm. Afro 10 të rinj shqiptarë do të shkojnë për studime të larta nëpër fakultetet teologjike orthodhokse universitare. Vizioni ynë bazë dhe qëllimi ynë kryesor është formimi i një kleri të aftë shqiptar të të gjitha gradave, i cili të jetë në gjendje t’i shërbejë me dije, entuziazëm e vetsakrificë Kishës Orthodhokse dhe të drejtojë grigjën orthodhokse, në veçanti rininë e shqetësuar, në këtë kthesë kritike historike. Me ndihmën e Perëndisë, që në shkurt e gjer në maj të këtij viti, ka funksionuar shkolla jonë Teologjike-Hieratike me 58 nxënës dhe është programuar vazhdimi i saj në vjeshtën që vjen. Interesohemi që të na jepet sa më shpejt trualli i përshtatshëm për ngritjen e ndërtesave të Shkollës sonë Teologjike, e cila, mendojmë të zhvillohet në nivel universitar.

2. Por Kishën Orthodhokse nuk e përbëjnë vetëm klerikët. Të gjithë, pa përjashtim, sa janë pagëzuar në gjirin e saj në emrin e Trinisë së Shenjtë, burra e gra të çdo moshe e kulture, duhet të mobilizohen në përpjekjen për rigjallërimin e Kishës dhe transmetimin e Ungjillit të shpresës e të dashurisë në çdo shprehje të jetës së Shqipërisë. Për të përgatitur kuadro të përshtatshme që të mbulojnë këto nevoja shumë të mëdha të kultit Orthodhoks, të katekizmit, të përpjekjes misionare, shpresojmë që së shpejti të funksionojnë: a) Shkolla e psaltëve; b) Kurset e Katekizmit e të muzikës kishëtare për burra e gra, të cilat do të organizohen periodikisht në kryepiskopatë dhe në qendrat e Mitropolive të Korçës, të Beratit e të Gjirokastrës; c) Punishte të lira për ikonografi, rrobaqepësi, artizanat, gdhendje druri e të tjera.

3. Nga nevojat më të domosdoshme e më urgjente, është sigurimi i vendeve të kultit, riparimi dhe rindërtimi i kishave të vjetra dhe ndërtimi i kishave të reja. Përveç kësaj, duhet bërë regjistrimi i thesareve të tyre, të cilat shpesh bëhen objekt grabitjesh, si edhe mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre. Filluam me kishën katedrale, në të cilën strehohemi këtë moment. Po interesohemi që edhe kisha e dytë e kryeqytetit, kisha e Shën Prokopit, mbrojtësit të komunitetit Orthodhoks të Tiranës, e cila prej vitesh është transformuar në restorant, t’i rikthehet kultit Orthodhoks.

Në qendrat e mëdha të vendit, si Durrës, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Kavajë, besimtarët përdorin për shërbesat e tyre kishëtare kisha që ishin transformuar në qendra dëfrimi, në depo, ofiçina, kurse qytete të tjera, si Shkodra, Erseka, Delvina, nuk kanë absolutisht asnjë vend kulti. Në Fier e në Sarandë vendosëm në mënyrë eksperimentale dy kisha parafabrikate dhe këtë program do ta shtrijmë në të ardhmen e afërt edhe në qytete e fshatra të tjera. Mbi 100 fshatra me popullsi Orthodhokse nuk kanë fare kishë, kurse po aq të tjera, kishat i kanë gjysëm të shkatërruara. Në të njëjtën kohë 140 kisha Orthodhokse janë bërë muzeume. Orthodhoksët e këtij vendi, me ndjenjë të madhe për të bukurën, u përpoqën gjatë gjithë shekujve për të ngritur me shumë sakrifica në vendin e tyre monumente të shkëlqyera me një vlerë të madhe kulturore. Ata deshën të ofrojnë qendra të gjalla kulti për të edukuar shpirtërisht e moralisht brezat e ardhshëm e jo muzeume pa shpirt për turistët kalimtarë. Prandaj Kisha jonë e quan si detyrë të saj nga më kryesoret që të marrë përsëri gjithçka që regjimi ateist ia ka konfiskuar me forcë. Kishat nuk janë fosile të thjeshta të qytetërimit të së kaluarës, por mushkëri të gjalla të qytetërimit të sotëm dhe mitra lindjeje të qytetërimit të së ardhmes.

Me më shumë dhimbje akoma lutemi dhe dëshirojmë të ringremë manastiret tona të shkatërruara që janë kthyer në hotele dhe qendra turistike apo baza ushtarake. Kishë Orthodhokse pa manastire nuk mund të kuptohet. Manastiret kanë qenë gjithnjë vende kulti, vende ushtrimi shpirtëror, vende zhvillimi ekonomik e kulturor, vende shërimi e ngushëllimi për popullin shqiptar. Dhe rifunksionimi i tyre, do t’i sjellë një ndikim të shumëfishtë dobiprurës dhe rrezatim këtij vendi në përpjekjen për rindërtim. Për zhvillimin e veprimtarisë kishëtare nevojiten gjithashtu menjëherë ndërtesa për strehimin e Kryepiskopatës, të Sinodhit të Shenjtë, të Mitropolive, të qendrave të Rinisë, të strehës për jetimët, për pleqtë dhe për të tjera institucione bamirëse.

4. Urgjente paraqitet nevoja e botimeve kishëtare në gjuhën shqipe. Për më shumë se 30 vjet nuk kanë qarkulluar në vend botime orthodhokse, kurse ato që ekzistonin, u shkatërruan. Arkivi qendror i Kishës u dogj. Me ndihmën e Perëndisë, po programohet ngritja e një shtëpie botuese kishëtare dhe vendosja e një njësie tipografike të vogël. Eshtë urgjente të vihet në qarkullim së shpejti në gjuhën shqipe një gazetë mujore e Kishës sonë, një revistë tremujore dhe buletin informativ; të botohen tekstet tona liturgjike të Kishës, broshura katekizmi dhe edukimi shpirtëror. Një grup i përhershëm përkthimi i përbërë prej intelektualësh kompetentë, nën kryesinë e teologut dhe përkthyesit të dëgjuar dhe bashkëpunëtorit tonë të dashur z. Dhimitër Beduli, do ta shpjerë më përpara punën përkthyese, duke vazhduar kështu në kohën tonë përpjekjen që nisi gjatë dekadave të para të shekullit tonë biri i madh i Shqipërisë Fan Noli.

5. Në një epokë kaq të vështirë kur mungesa të ndryshme mundojnë vendin, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë thirret të tregojë një prezencë dinamike humanizmi dhe kujdesi social. Një sektor i posaçëm: «Shërbimi i dashurisë», do të zhvillohet: a) Për çuarjen më përpara të programeve të ndihmës për popullin shqiptar të shumëvuajtur pa marrë parasysh përkatësinë fetare. b) Për mbështetjen mjekësore dhe për ndihmën që u duhet dhënë rasteve të veçanta sëmundjesh. c) Për programe zhvillimi të një karakteri më të gjerë. Detyrë dhe kujdes bazë i Kishës ka qenë përherë shprehja e respektit për njeriun në tërësi.

6. Për anën ekonomike dallohen tre burime: Së pari, Qeveria demokratike që sot drejton vendin ka dhënë një premtim të qartë e publik se do të kthejë pronën kishëtare që u konfiskua vite më parë nga regjimi ateist. Besojmë se së shpejti do të gëzohemi me realizimin e këtij premtimi. Sapo ta marrim në dorëzim atë, do të përpiqemi që ta shfrytëzojmë për të mirën e mbarë popullit shqiptar. Çdo gjë që i përket Kishës, i shërben tërë shoqërisë.

E dyta: Kontributi i lirë i besimtarëve ka qenë gjithnjë mbështetje ekonomike për Kishën tonë. Sot, sigurisht, me të ardhura aq të ulëta të popullit tonë ky kontribut është kufizuar. Megjithatë nuk pushon së kontribuari. Burimin e tretë e shumë të çmuar e përbëjnë mijërat e miqve të njohur e të panjohur nga Kishat e tjera Orthodhokse motra, veçanërisht Patrikana Ekumenike e Konstandinupojës, Kisha e Greqisë, Kisha e Rumanisë, Kisha e Qipros, por edhe Këshilli Botëror i Kishave, që na mbështesin me oferta dashurie prekëse. Mirënjohja jonë është e thellë.

7. Natyrisht, Kisha lufton në fusha të ndryshme të sektorit social për të drejtat e njeriut, për lirinë, për barazinë, për drejtësinë. Mirëpo kryesisht ajo lufton për të drejtën qenësisht pothuaj të harruar të secilit njeri për të ecur përpara drejt hyjnizimit, drejt fitimit të përjetësisë. Ky shërbim i pajtimit me Perëndinë, shenjtërimi i besimtarëve, zhvillimi i jetës liturgjike, kuptimi më i thellë e më i gjerë i Shkrimeve të Shenjta dhe të doktrinës së Kishës sonë, jetimi i ndërgjegjshëm i misterit të shpëtimit, do të përbëjnë kujdes parësor të Kryepiskopit. Kërkimet teologjike, pimantike dhe misionare na kanë çuar në sigurinë se kundërvënia e jetës shpirtërore personale dhe veprimtarisë sociale përbën një polarizim të rremë. Etërit e Kishës sonë jetuan detyrimin e tyre të Krishterë me një mënyrë të përgjithshme dhe misionin e Kishës me një perspektivë të përbotshme dhe eskatologjike. Me këtë kuptim të përgjithshmërisë në ndërgjegje dhe në mendim, do të përpiqemi me modesti edhe ne të kryejmë detyrën tonë si kryebari i besimtarëve Orthodhoksë të Shqipërisë.

III

Meqenëse vitet e persekutimit që ndërmjetësuan, kanë mjegulluar në Shqipëri qartësinë e terminologjisë fetare dhe të parimeve fetare, do të dëshiroja të kujtoj se: Kisha Orthodhokse është «Trupi i Tij (i Krishtit), plotësimi i Atij që i plotëson të gjitha ndër të gjitha» (Efes. 1:23), dhe vazhdon veprën e Tij shpëtimtare në hapësirë dhe në kohë. Në mënyrë të veçantë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ashtu siç është theksuar gjithmonë nëpër statutet e ndryshme të saj «është pjesë e pandarë e Kishës së shenjtë, të përgjithshme dhe Apostolike», që shtrihet në të gjitha anët e botës. Eshtë e bashkuar dogmatikisht dhe shpirtërisht me të gjitha Patrikanat Orthodhokse dhe Kishat e tjera orthodhokse autoqefale, ruan pa asnjë ndryshim parimet dogmatike dhe kanunet e hirshme apostolike dhe Sinodhike, Traditën e shenjtë dhe mban gjithashtu ato që përmenden në Tomin e njohjes së Autoqefalisë nga Kisha mëmë e Konstandinopojës.

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë përbën para të gjithave bekim për vendin, në të cilin lëviz. Lulëzimi i saj dhe zhvillimi i përgjithshëm i veprimtarisë së saj, do të ndikojë në mënyrë vendimtare në punën mëkëmbëse të të gjithë vendit.

E para: Duke leçitur me entuziazëm besën te Perëndia e Trinishme, hirin dhe mëshirën e Tij të pakufi, dashurinë e paanshme, i paraqet popullit pa ndërprerje mendime të reja, ideale të reja, shpresë dhe fuqi të qëndrueshme, për të vazhduar luftën në këtë periudhë të vështirë në të cilën dekurajimi dhe humbja e shpresës po e kërcënojnë. Ndihma më e rëndësishme e Kishës në lëmin social është se ajo edukon njerëz të pjekur, me përgjegjësi, të ndershëm, që luftojnë me ndërgjegje edhe atëherë kur asnjë, dhe asgjë e jashtme, nuk i detyron – që të jetojnë me dashuri dhe krijimtari, duke ngritur lart pa zhurmë mbarë tërësinë shoqërore.

E dyta: Kisha Orthodhokse ka qenë gjithnjë e do të jetë faktor bashkimi, paqeje dhe pajtimi në Shqipëri, duke leçitur ndjesën dhe mirëkuptimin, dhe duke ofruar motive të brendshme dhe fuqi për to. Duke vazhduar traditën e vjetër të tolerancës fetare në Shqipëri, përkrah sinqerisht bashkekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve të ndryshme fetare. Po njëkohësisht kultivon ndjenja respekti dhe dashurie edhe për ata që akoma qëndrojnë indiferentë apo dhe negativë ndaj fesë. Respektimi i lirisë së çdo njeriu, pavarësisht nëse beson apo nuk beson ai, karakterizon moralin orthodhoks. Çdo person është i shenjtë, sepse është krijuar pas ikonës së Perëndisë.

E treta: Me veprimtaritë konkrete për të cilat folëm më sipër, shpresojmë se Kisha jonë do të ndihmojë në tërë përpjekjen për zhvillim të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të zërë në një kohë sa më të shkurtër, vendin që i takon në Evropë. Dhe, si gjithnjë, anëtarët e saj do të mbrojnë me konsekuencë të drejtat e vendit.

Kisha jonë përbën gjithashtu një ambasadë shpirtërore të çmuar të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar, që kontribuon qenësisht në çuarjen përpara dhe në zhvillimin e bashkëpunimit paqësor dhe të solidaritetit në Ballkan dhe në tërë Evropën. Në përpjekjet panorthodhokse që bëhen nën udhëheqjen e urtë dhe frymëzuese të Patrikanës Ekumenike, të Kishës mëmë, Kisha e Shqipërisë si anëtare e barabartë me Kishat e tjera Autoqefale, do të marrë pjesë në mënyrë krijuese në të gjitha konferencat panorthodhokse dhe dialogët teologjikë me kishat e tjera të krishtera, por edhe me botën myslimane. Në shtatorin që vjen, në mbledhjen e përgjithshme të konferencës së Kishave të Evropës që Pragë, Kisha jonë do të shpallet zyrtarisht anëtare e këtij organizmi ndërkombëtar dhe së shpejti do të renditemi si anëtare e rregullt e Këshillit Botëror të Kishave.

Nga ky post e quaj për detyrë t’i drejtoj përshëndetje shpresëtare Tërëshenjtërisë së Tij të Hyjshme dhe Kryetarëve fort të lumtur të Kishave të Shenjta Orthodhokse lokale duke lypur njëkohësisht urimet dhe lutjet e tyre të vyera vëllazërore për të më forcuar Zoti në këtë vepër të hirshme dhe të rëndë. Gjithashtu u drejtoj përshëndetje të ngrohta Kryetarëve të Kishave dhe pohimeve të ndryshme kristiane si edhe Kryetarëve të organizmave ndërkishëtare, duke shpresuar në mbështetjen e lutjes së tyre. Veçanërisht i drejtoj përshëndetje dashurie dhe nderimi Nuncit Apostolik në Shqipëri të Kishës Katolike të Romës dhe përfaqësuesve të komuniteteve myslymane.

Kisha jonë duke mbajtur lidhje organike e njerëzimin e bashkuar kontemporan, do të kontribuojë në përpjekjen ndërkombëtare për një shoqëri njerëzore të paqes, drejtësisë dhe dashurisë.

IV

Por, për ecjen e drejtë të riorganizimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, do të jetë e nevojshme që, tërë besimtarët orthodhoksë, pa përjashtim, të marrin pjesë në këtë vizion dhe të marrim pjesë në jetën e Kishës me tërë fuqitë tona. Kalojmë sot në Shqipëri një epokë kritike, e cila është njëkohësisht një nxitje dhe një rast i madh. Pra, si kryepiskop orthodhoks, u bëj thirrje të gjithëve të marrin pjesë aktivisht në jetën dhe veprimtarinë e Kishës sonë në përshtatje me dhuntinë që i është dhënë nga Perëndia. Në veçanti u bëj thirrje intelektualëve të marrin pozita përgjegjësie e iniciativa, të venë në përdorim dijet, përvojën dhe autoritetin e tyre në përpjekjen përtëritëse të Kishës sonë.

U bëj gjithashtu thirrje të rinjve dhe të rejave që ëndërrojnë për një epokë të re, për një Shqipëri të shëndetshme, të vijnë e të marrin pjesë në grupet e ndryshme të punës të Kishës Orthodhokse për t’u përgatitur së pari në traditën e pasur të besimit orthodhoks dhe njëkohësisht duke nxitur prej saj frymëzim edhe fuqi të zhvillojnë në mënyrë krijuese mendimin dhe dinamizmin e tyre.

Në përgjithësi, të gjithë orthodhoksët të ndjejmë përgjegjësinë tonë personale, të pendohemi dhe të shprehim devocionin tonë te Krishti, shpëtimtari ynë me vepra të përditshme besimi, pohimi dhe dashurie. Vetëm Kryepiskopi nuk mjafton që të bëhet diçka thelbësore, sikurse nuk mjafton arkitekti që të ndërtohet një kishë katedrale e bukur. Të gjithë bashkë, bile edhe fëmijët, e kemi si detyrë të ndajmë atë pak ose shumë që kemi material, shpirtëror, shpresën, buzëqeshjen me ata që kanë më shumë nevojë. Veç ndihmës nga jashtë, vendi ka nevojë edhe për një lëvizje të brendshme dhe mbështetje reciproke. Dhe sidomos pendim të ndershëm e të guximshëm, një orientim shpirtëror e moral të ri në të gjitha nivelet, një frymëzim të ri.

Kënga boshe ateiste që zotëroi në Shqipëri për gjysëm shekulli, molepsi ndërgjegjet, kultivoi psikoza të rrezikshme, u hoqi brezave të tërë përvojën jetëprurëse fetare dhe ushqeu tmerret dhe manitë e rreme. Megjithatë, shpresa na takon. «Atje ku tepëroi mëkati, fort tepër tepëroi dhe hiri» (Rom. 5:20). Heshtja tragjike e çuditshme që akoma derdhet nga gojët e hapura të bunkerëve, duhet të zëvendësohet sa më parë me një këngë shpresëdhënëse: «I këndoni Zotit këngë të re» brenda në këtë vend plot dhimbje. I këndoni besës te Perëndia, besës te njeriu. Rroni sa të jetë e mundur më afër besës dhe transmetoni Ungjillin e shpëtimit me Krishtin.

Sigurisht e dimë që jemi të dobët. Por marrim kurajë nga ajo që thotë Perëndia në Librin e Zbulesës: «Ja tek kam vënë përpara teje një derë të hapur; edhe askush s’mund ta mbyllë atë, sepse ke pak fuqi edhe ruajte fjalën time dhe nuk mohove emrin tim…» (Zbul. 3:8).

* * *

Vëllezër të mi, duke përshkruar nga një anë punën e madhe të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që ngrihet para nesh, si edhe pamjen më të gjerë të misionit të Kishës sonë në botën e sotme që po bashkohet, dhe duke marrë parasysh nga ana tjetër paaftësinë time personale, mëkatësinë dhe varfërinë time, ndjej nevojën të thërras së brendshmi: «Dhe unë jam i varfër dhe lypës. O Perëndi, ndihmomë». Nuk e shpëtojmë Kishën ne njerëzit mëkatarë e të dobët. Por ne gjejmë shpëtim brenda në të, duke iu bindur me përulësi dhe gëzim vullnetit të Perëndisë së Trinishme, duke ia dorëzuar veten Hirit të Tij.

Sa për nderin e të Parit, të cilin po marrim në Kishën e Shqipërisë, kuptimin e ka përcaktuar ndër shekuj një herë e mirë Kreu dhe Themeluesi i besës sonë: «Kush të dojë të jetë i parë, le të jetë i fundit i të gjithëve edhe shërbëtor i të gjithëve» (Mark. 9:35). Dita e sotme, 2 gushti, në të cilën Kisha jonë kremton rivendosjen e lipsaneve të dëshmorit të parë dhe kryedhjakonit Shën Stefan, vë në dukje në mënyrë të qartë karakteristikat e shërbyesve të vërtetë dhe apostujve të Krishtit. Stefani ka qenë «njeri me plot besë dhe Shpirt të Shenjtë», «plot me hir e me fuqi» (Vep. Ap. 3:5, 8).

Faluni, ju lutem, o fort të hirshëm vëllezër të shenjtë, ju bashkpresviterë të mi të dashur dhe ti o popull i bekuar i Perëndisë që duke ndjekur këto gjurmë të kryej shërbimin tim në këtë vend të martirizuar. Dhe le të ecim të gjithë bashkë në rrugën që hap para nesh Perëndia duke pasuar Krishtin në udhën e Tij të Kryqit e të Ngjalljes, duke lypur për ditë që Shpirti i Shenjtë të vendoset tek ne, të na shenjtërojë, të ndriçojë mendimet dhe veprimet tona. «Edhe mbi atë që pas fuqisë që veprohet ndër ne mund të bëjë shumë më tepër nga të gjithë sa kërkojmë e mendojmë, Atij i qoftë lavdia në Kishë me anë të Iisu Krishtit në të gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin.» (Efes. 3:20-21).

+ Anastas