Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me bekimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, organizoi fushatën sensitive dhe mjaft të rëndësishme të dhurimit vullnetar të gjakut.
Kjo nismë vjen në një kohë kur bankat e gjakut në të gjithë vendin po përballen me një mungesë të dhurimeve vullnetare. Kësaj thirrjeje vendosi që t’i bashkohet edhe Kisha jonë.
Nën moton “Më i lumtur është ai që jep, se sa ai që merr” siç na mëson edhe Zoti ynë Jisu Krisht, që ta duam të afërmin tonë si veten tonë, Kisha jonë organizoi fushatën e dhurimit të gjakut.
Nismës i parapriu njoftimi përmes Radios “Ngjallja” dhe klerikëve të enorive të ndryshme për të gjithë besimtarët dhe qytetarët e vendit që t’i bashkohen kësaj nisme të rëndësishme për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që u nevojitet në mënyrë urgjente gjak për të shpëtuar jetën.
Dhurimi i gjakut u krye në ambientet e katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë tek salla e rinisë, ku mjaft qytetarë, besimtarë dhe të rinj iu bashkuan kësaj thirrjeje jetësore.
Kjo nismë u organizua në bashkëpunim edhe me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
N. Barkaj