– 30 vjet më parë –
Komiteti Drejtues i Këshillit Botëror të Kishave, në seancën plenare të ditës së parë (20 janar 1994) votoi unanimisht për pranimin në këtë organizatë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, – theksoi në përshëndetjen e tij Kryepiskopi Anastas, – ka qenë e angazhuar në Lëvizjen Ekumenike që përpara Luftës II Botërore dhe, po të mos ishte ndërprerë kjo lidhje nga persekutimi i gjatë ateist komunist, ajo do të kishte qenë me siguri ndër themeluesit e Këshillit Botëror të Kishave më 1948. Fortlumturia e tij theksoi gjithashtu se, pavarësisht se Kisha jonë është ndër më të varfrat e WCC-së, ajo është vërtet Kishë e Ngjalljes, gjë që përbën faktor të përhershëm bashkëpunimi harmonik, pajtimi e paqeje, me pjesëmarrje të gjallë në jetën sociale të vendit, për krijimin e një shoqërie drejtësie, lirie e dashurie në Shqipëri.
Kisha jonë, – shtoi ai, – po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për bashkekzistencën paqësore të komuniteteve fetare në rajonin e trazuar të Ballkanit, dhe merr pjesë gjallërisht në dialogun ndërfetar botëror.
Komiteti drejtues i Këshillit Botëror të Kishave zhvilloi punimet në datat 20-28 janar, në qendrën konferenciale “Eskom”, midis qyteteve Johannesburg dhe Pretoria.