EmailFacebookKontakt

Kisha jonë – e pranishme në aktivitetet eklesiastike ndërkombëtare

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në procesin e saj të ringjalljes, po afirmohet përherë e më shumë si brenda vendit, duke bërë një jetë rituale të rregullt në të gjitha kishat e saj, ashtu dhe jashtë vendit duke filluar të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare eklesiastike, siç ishte prania e saj, gjatë muajit qershor 1993, në mbledhjen e Rodosit, në Greqi, dhe në atë të Balamandit, në afërsi të Beirutit, në Liban, për problemin eklesiologjik të uniatizmit, në përpjekjet e përbashkëta për gjetjen e rrugëve që do të çonin në bashkimin e Kishës orthodhokse të Lindjes dhe Kishës romano-katolike të Perëndimit.

Për këtë qëllim ka disa vjet që midis dy kishave të mëdha kristiane zhvillohet periodikisht një dialog teologjik i gjerë, në kuadrin e një Komisioni mikst orthodhokso-katolik të nivelit të lartë botëror, nën presidencën e përbashkët në krye me Eminencat e tyre Monsenjor Eduard Idris Cassidy, kryetar i Këshillit Pontifikal të Vatikanit për realizimin e bashkimit të kristianëve dhe Eminencën e tij, Kryepiskopin e Kishës Orthodhokse të Australisë dhe rektor i Universitetit Teologjik të Sidneit Imzot Stilianos, me cilësinë e përfaqësuesit të Patrikanës Ekumenike të Konstantinopolit. Pas mbledhjes së Komisionit mikst në Freising të Gjermanisë, në qershor 1990, dhe në Ariccia të Italisë, në qershor 1991, përsëri gjatë qershorit të këtij viti Komisioni do të mblidhej në Universitetin Teologjik të Balamandit, pranë Beirutit, për të vazhduar dialogun. Para Balamandit, përfaqësuesit e kishave orthodhokse u takuan në Rodos të Greqisë në një mbledhje konsultative paraprake.

1. Para se të japim disa përshtypje për pjesëmarrjen e KOASH-it në këtë dialog tepër të rëndësishëm, të themi disa fjalë rreth uniatizmit, sepse mund të mos jetë i njohur nga masa e besimtarëve orthodhoksë.

Pas triumfit të Reformës protestante në shekullin e XVI Kisha romano-katolike humbi hapësira të mëdha në Evropën perëndimore dhe veriore. Gjermania, Zvicra, Franca, Holanda, Skocia, vendet Skandinave, Danimarka, Prusia dhe vendet Balltike, përqafuan tërësisht ose pjesërisht protestantizmin në formën Luterane, Kalvine, etj, dhe, në këtë mënyrë, u shkëputën nga varësia e Vatikanit. Për të kompensuar këto humbje të konsiderueshme Kisha romano-katolike, nëpërmjet prozelitizmit të organizuar dhe sistematik në gjirin e komuniteteve orthodhokse të Evropës Lindore, arriti të tërheqë në anën e saj mjaft besimtarë orthodhoksë dhe të shkaktojë kështu një acarim të klimës midis dy kishave. Këto komunitete u quajtën UNIATE, d.m.th të bashkuar me Kishën romano-katolike. Shumica e besimtarëve orthodhoksë nuk arrinin ta kuptonin thelbin e problemit, sepse ruanin në fakt kishat që kishin pasur dhe ashtu siç i kishin pasur para bashkimit ruanin ritin liturgjik bizantin dhe klerin orthodhoks të ulët të famullive, vetëm se nuk vareshin më nga qendra e tyre orthodhokse kombëtare, por nga Vatikani nëpërmjet episkopëve katolikë dhe përfshiheshin në orbitën universale të Kishës romano-katolike. Tensionit shekullor midis orthodhoksisë dhe katolicizmit iu shtua edhe problemi uniat.

Pas shembjes së komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore u vu re një riaktivizim i prozelitizmit uniatist të Kishës romano-katolike duke u riafirmuar ideja e vjetër e gabuar se kjo mund të ishte rruga për bashkimin e të dy kishave më të mëdha kristiane në botë. Edhe në të kaluarën e largët ishin bërë përpjekje për bashkimin e të dy kishave, siç ishte Sinodi i Lionit (1274) dhe Sinodi i Ferrarës-Firences (1439), por që dështuan për shkak të divergjencave me karakter dogmatik dhe juridiksional (Filioque dhe Primati papal). Në kushtet e reja historike dukej sikur uniatizmi paraqiste një variant të ri për një bashkim të mundshëm të dy kishave kristiane Orthodhokse dhe Romano-katolike. Në debatet gjatë dialogut orthodhoks-katolik në Freising dhe Ariccia, uniatizmi u konsiderua si një rrugë e gabuar. Për këtë problem dialogu do të vazhdonte në Balamand, pranë Beirutit, në Liban. Në përfundim të debatit, problemi u konkretizua më mirë dhe përfundimisht. Konkluzionet e arritura u pasqyruan në Deklaratën e përbashkët, datë 23 qershor 1993, me titull: “Uniatizmi – metodë bashkimi e së kaluarës, dhe kërkimet e sotme për një bashkim të plotë” të të dy kishave. Midis të tjerave në këtë Deklaratë thuhet: “Uniatizmi, kjo formë e ‘apostolatit misionar’ nuk mund të pranohet më as si metodë që duhet ndjekur dhe as si model i bashkimit që synojnë të dy kishat tona”. Në këtë kontekst të asaj deklarate janë cituar fjalët e Papës Gjon Pavli II se “përpjekjet ekumenike të kishave motra të Lindjes dhe Perëndimit, të bazuara në dialog dhe lutje, synojnë të arrijnë një bashkim të plotë dhe të përsosur, i cili të mos jetë as thithje dhe as shkrirje, por një bashkim i bazuar në të vërtetën dhe dashurinë”. (cf. Slavorum Apostoli, Nr. 26).

2. Në Balamand të Libanit, prania e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u prit me interesim dhe kënaqësi të veçantë. Kjo gjë u duk si në çeljen e mbledhjes në duartrokitjet e zgjatura, në adresë të përfaqësuesit të saj, ashtu edhe në seancën e parafundit, pas debatit, gjatë fjalimit të përshëndetjes. Rezultatet konkrete, të rëndësishme dhe të shpejta, të arritura nën udhëheqjen e Kryehirësisë së tij, Kryepiskopit Anastas, bënë një përshtypje të thellë dhe ngjallën një kënaqësi të përgjithshme. Interesimi ndaj Kishës sonë Orthodhokse u vu re edhe gjatë punimeve të ndërmjetme midis seancave të punimeve nga ana e shumë pjesëmarrësve, personalitetet klerike dhe laike të lartë të të dy kishave; mitropolitë, kardinalë, episkopë katolikë, profesorë të universiteteve teologjike të Lindjes dhe Perëndimit, të cilët donin të kishin një informacion më të hollësishëm për ringjalljen e Kishës sonë. Në bisedat me të gjithë vija re se ishin të impresionuar veçanërisht nga formimi i shpejtë i brezit të ri të klerit të ulët (priftërinj dhe dhiakonë), nga restaurimi i kishave të rrënuara dhe ngritja e kishave të reja ose të parafabrikuara, nga botimi i gazetës “Ngjallja” dhe frekuentimi masiv i Meshës së Shenjtë nga besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë.

3. Në Balamand konstatova një frymë të lartë mirëkuptimi, dëshire dhe gatishmëri nga të dy palët për të gjetur rrugëdalje parimisht të drejta për problemet e shtruara për zgjidhje. Dhe në fakt në Balamand triumfoi mirëkuptimi. Deklarata e përbashkët ishte shprehja më bindëse e këtij mirëkuptimi. Por deklarata do të zbatohej në bazë. Zbatimi i saj varej nga qëndrimi i episkopëve dhe bishopëve që ndodhen në krye të komuniteteve katolike, uniate dhe orthodhokse, që janë barinjtë shpirtërorë të besimtarëve kristianë të dioqezave të tyre. Ne u larguam nga Balamandi me bindjen se kjo frymë e mirëkuptimit do të arrinte deri në bazë dhe do të shërbente si udhërrëfyes për zgjidhjen praktike të problemeve të mprehta eklesiastike që trazojnë deri në konflikte midis komuniteteve uniate dhe orthodhokse në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Me keqardhje duhet thënë se kur u ktheva nga Balamandi dhe lexova edicionin e fundit e SOP-it (Service de Presse Orthodoxe), Nr. 180/1993 u habita kur mësova se 15 maj 1993, pra një muaj para mbledhjes së Balamandit, ishin botuar deklarime kundër Patrikut të Moskës Aleksi II, i cili kish dënuar botërisht prozelitizmin katolik në Rusi. Ky qëndrim ishte në kundërshtim me frymën e Deklaratës së Freisingut dhe të Ariccies dhe me mbledhjen e afërt të Balamandit, për më tepër që nuk ishte fjala për mendimin e një teologu katolik të veçuar, por për qëndrimin e levave të Vatikanit: kongregacione, lëvizje eklesiastike romano-katolike, shërbime pontifikale dhe dioqeza të caktuara katolike. Prozelitizmi nga ana e tyre justifikohej, duke iu kundërvënë Patriarkut të Moskës, me “kërkesat për ungjillëzim të popullit rus”. Ashtu siç kishte kërkuar edhe Patriarku i Moskës detyra e të gjithë grupeve misionere që kishin shkuar në Rusi, para kërkesave për ungjillëzim të besimtarëve rusë, ishte të ndihmonin me të gjitha mjetet, materiale dhe morale, në ringjalljen e Kishës Orthodhokse të Rusisë dhe jo t’i merrnin besimtarët e saj duke i joshur me ndihmat në ushqime, veshmbathje dhe medikamente, dhe pra duke shfrytëzuar gjendjen e tyre të mjerë ekonomike dhe vakuumin e tyre shpirtëror, pas natës shumë të gjatë ateiste. Leximi i këtij lajmi më zhyti në një skepticizëm të madh për perspektivën e dialogut teologjik orthodhoks-katolik. Në ato çaste m’u kujtua titulli i romanit të Sinkiewickit: “Quo Vadis Domine”.

Teodor Papapavli
Pedagog në Seminarin Teologjik të KOASH-it