EmailFacebookKontakt

Kisha “Fjetja e të Tërëshenjtës” – një e drejtë e mohuar

Historia e refuzimit të kthimit të Kishës “Fjetja e të Tërëshenjtës”, në Përmet, është një dëshmi e padrejtësisë që vazhdon të bëhet në kurriz të Komunitetit Orthodhoks. Njëherësh, është edhe shprehje e paragjykimeve të disa personave e institucioneve, sa për të drejtat e bashkësive fetare aq edhe për rolin e veçantë që Kisha Orthodhokse e Shqipërisë luan në zhvillimin dhe kulturimin e mbarë shoqërisë.

Kjo kishë e bukur (e njohur nga përmetarët si “Shën Maria e Pazarit”), gjatë regjimit ateist u shndërrua në qendër kulturore, sikundër ndodhi me shumë objekte orthodhodhokse kulti, që nuk u rrënuan plotësisht.

Në 26.5.1997, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i bazuar në vendimin e Gjykatës së Faktit Përmet (Nr. aktit 1022, Nr. i Vendimit 1033, 18.11.1996) dhe të Apelit Tiranë (Nr. Vendimit 521 dt. 5.2.1997), njohu pronësinë dhe riktheu godinën tek zotëruesi i ligjshëm, Komuniteti Orthodhoks i Përmetit. Në bazë të këtyre vendimeve u bë dhe hipotekimi i godinës me sip 612 m2 dhe i truallit rrethues prej 4752 m2, pas pagesës prej 751.264 lekë të reja.

Pas kësaj u krijua edhe Epitropia e Kishës “Fjetja e të Tërëshenjtës”, ndërsa Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastas, shprehu dëshirën për ta shndërruar atë menjëherë në vend lutjeje, sikundër ka qenë, por edhe në qendër të mbështetjes sociale për qytetin: me kopsht fëmijësh, klinikë mjekësore, qendër rinore orthodhokse, sallë takimesh etj.

Nuk qe e thënë që ky optimizëm të konkretizohej.

Nga Drejtoria e Kulturës Përmet, me mbështetjen edhe të disa qarqeve të njohura, filluan pengesat dhe u refuzua lirimi dhe dorëzimi i objektit.

Ndonëse Gjykata e Lartë me dy vendime të përsëritura të saj (16.4.1999 Nr.2001/482, Nr. i Vendimit 245 R. Themeltar, Nr. P-3 Regj. Themeltar 27.9.1999), i dyti nga Kolegjet e Bashkuara, konfirmon me vendim të formës së prerë të drejtën e Komunitetit Orthodhoks dhe, gjithashtu, Drejtoria e Inspektim-Pritjes e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë të përsëritur urdhëron edhe zbatimin e Urdhërit Përmbarues, problemi ngelet ende i hapur.

Ai është një plagë e pashëruar e besimtarëve orthodhoksë, mbi të cilën rëndon padrejtësia dhe neglizhenca e organeve shtetërore përkatëse dhe disa autoriteteve lokale. Ajo plagos zemrat e besimtarëve orthodhoksë të Përmetit, të cilët Liturgjitë Hyjnore dhe shërbesat i kryejnë jashtë, në mjedisin përpara kishës së tyre, duke dashur kështu të nënvizojnë protestën për padrejtësinë flagrante që po u bëhet.

Kisha e Tërëshënjtës Mari në Përmet, që ka kohë që ngelet pezull e nuk i rikthehet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është një bekim i mohuar për qytetin e Përmetit. Kur ajo do të dorëzohet do të shndërrohet në një stoli për Përmetin dhe në një qendër prehjeje sociale.