EmailFacebookKontakt

Kisha e Shën Marisë në Peshkëpinë

Nga Koço Zheku

Në fshatin e sotëm Peshkë(o)pi e Sipërme, që ndodhet në juglindje të qytetit të Gjirokastrës, ruhet akoma edhe sot një kishë e vjetër kushtuar Hyjlindëses.

Ka shumë mundësi që emri i fshatit të ketë lidhje me episkopatën e Adrianopojës. Sipas burimeve historike, ky qytet i lashtë u rindërtua nga perandori bizantin Justiniani, i cili e emërtoi me emrin e tij – Justinianopolis. Vendndodhja e këtij qyteti ende nuk është e përcaktuar mirë, por ka mendime se mund të ishte midis Teqesë së Melanit dhe Sofratikës. Në kohë më të vona, emri Justinianopol është harruar dhe qyteti përmendet me emrin e tij fillestar, Adrianopolis. Ky qytet, si një qendër e rëndësishme ekonomiko-ushtarake, vazhdonte të ishte edhe seli episkopale me ndikim në luginën e Dropullit të sotëm. Episkopata e Adrianopojës përmendet në shek. XI në diplomën e perandorit bizantin Vasili i II, në të cilën kësaj episkopate i caktohen që të ketë 15 klerikë dhe 15 parikë, në gjithë territorin e saj.

Vetë Kisha e Shën Marisë ka përmasa shumë të mëdha, për një fshat kaq të vogël. Kjo tregon se ka mjaft mundësi që të ketë qenë ndërtuar për të shërbyer si seli episkopale pas shpërnguljes së saj nga qyteti i Adrianopojës. Koha dhe arsyet e shpërnguljes nuk dihen, për mungesë të dhënash historike. Mendohet se qyteti i Adrianopojës mund të jetë shkatërruar përfundimisht rreth shek. XII. Ky përcaktim kohor përkon edhe me vetë ndërtimin e kësaj kishe.

Nga ana arkitektonike kjo kishë ka zgjidhje të tipit të quajtur kryq i brendashkruar, me tambur të mbuluar me kupolë, që lartësohet në qendër të sallës kryesore të kishës. Ky tip është i mirënjohur e shumë i përdorur në kisha të periudhës bizantine e mesjetare. Kisha të tilla janë ndërtuar edhe në kohë më të vona, si në qendrat kryesore ashtu edhe në manastire e deri në fshatra të ndryshme.

Në gjendjen e sotme kisha ruhet mirë. Në veçanti duhen përmendur disa ndërhyrje të brendshme, si ndarja e hierores nga salla kryesore, si edhe disa shtesa për krijimin e disa mjediseve me përdorim të ndryshëm, brenda kishës, në anën veriore të saj.

Fillimisht, kisha ndahej në tri hapësira, naosi qëndror, që përfundon me hieroren mbi absidën dhe dy nefet anësore, të cilat përkatësisht përfundojnë me protezisin dhe diakonikonin. Brenda absidës ruhen shumë të qarta tre këmbë shkalle, në formë gjysmë unaze dhe një fron prej guri në mes të shkallares. Këta denjerë tregojnë se kisha ka shumë mundësi të ishte katedralja e episkopatës së Adrianopojës.

Në kohë më të vona duket se hierorja është mbyllur në mur, i cili më tepër është shtuar për të përforcuar qemerin mbi të cilin mbështetet tamburi i kupolës. Në anën ballore të këtij muri ka qenë improvizuar një ikonostas, i cili ka gjurmë pikture. Në gjendjen e sotme këto gjurmë janë të lyera me gëlqere dhe të mbuluara nga një ikonostas druri, ndërtuar, ndoshta në shek. XIX.

Në anën jugore, mbështetur nga jashtë, në gjithë gjatësinë e murit të kishës, është ndërtuar një mjedis i ngushtë e i gjatë, i cili mesa duket ka shërbyer si hajat i mbyllur i kishës. Ka gjurmë të qarta që tregojnë se hajati fillimisht kishte tre hyrje të jashtme dhe një të brendshme, me anë të së cilës komunikonte me kishën. Mbulesa e çatisë së kishës dhe ajo e hajatit është me rrasa guri, material ky i përdorur gjerësisht në të gjitha kishat dhe banesat e Shqipërisë së Jugut.

Sipas udhëtarit anglez H. Holland, që lexoi për herë të fundit, në këtë kishë, deri në fillim të shek. XIX, ruhej një mbishkrim, i cili në ditët tona nuk dihet se ku ka qenë, ku thuhej se kisha ishte ndërtuar nga perandori bizantin Emanuel Komneni. Ky perandor, që sundoi në vitet 1143-1180, arriti të zgjerojë territoret e perandorisë dhe nga ana tjetër duket se ka bërë përpjekje edhe për riorganizimin e institucioneve kishtare, duke rindërtuar selitë episkopale të rrënuara në kohë të ndryshme.

Manuel Komneni është i pari perandor që njihet deri më sot në mbishkrimet e kishave të vendit tonë. Nga ky mbishkrim mund të mendohet se episkopata e Adrianopojës riorganizohet në shek. XII, duke pasur si katedrale kishën e Shën Marisë në Peshkë(o)pinë e Sipërme.

Kujtojmë se rasti i dytë ku përmendet ndërhyrja e pushtetit perandorak në ristrukturimin e institucioneve dhe rindërtimin e objekteve kishtare, ishte perandori Mihail i VIII Paleologu, që përmendet në mbishkrimin, që ruhet edhe sot në kishën e Shën Marisë së Apollonisë.

Kisha e Shën Marisë në gjendjen e sotme ka nevojë që të mirëmbahet dhe të çlirohet nga ndërhyrjet shtesat e brendshme dhe të kthehet në një kishë ku mund të kryhen lirisht të gjithë ceremonitë fetare, për të gjitha fshatrat që janë në afërsi të saj.

Pranë kishës në një të ardhme mund të ndërtohet një manastir i vogël, nëpërmjet të cilit do të rivlerësoheshin trashëgimia e episkopatës së Adrianopolit dhe vlerave ndërtimore-arkitektonike të kësaj kishe të shenjtë monumentale.