PËRGJIGJE GAZETËS SHQIPTARE
“Kisha e Shën Marisë në Elbasan nuk është pronë personale e askujt”
Në gazetën tuaj të së mërkurës, 13 nëntor, është publikuar artikulli me titull “Janullatos humbet kishën e Shën Marisë. – Konflikti i Elbasanit, Gjykata: Çështje e fesë”, në të cilin ka një sërë pasaktësirash:
1. Kisha e Shën Marisë në Elbasan nuk është pronë personale e askujt, që të mund ta humbasë, por e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndaj titulli “Janullatos humbet Kishën”, është sa i pasaktë aq edhe absurd e çorientues.
Kështu, as z. Marku nuk ka se si ta fitojë atë. Me vendimin e marrë z. Marku thjesht i shpëtoi gjykimit për veprën e dënueshme penalisht të dhunimit të një vendi kulti.
2. Gjyqi nuk bëhej se kujt i takon pronësia e Kishës (që dihet e pranohet se i përket KOASH-it), por rreth padisë për uzurpimin e paligjshëm me dhunë të saj nga një person që nuk njihet si prift nga asnjë klerik i Shqipërisë dhe nga asnjë Kishë kanonike Orthodhokse në botë.
3. Në artikull thuhet se thelbi i çështjes është nëse Nikolla Marku është apo jo prift dhe citohet se në gjyq është afirmuar, se “Nëse at Nikolla Marku është prift apo jo kjo është punë e Kishës dhe jo e gjykatës.”
Kjo çështje as që shtrohet. Për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, siç është deklaruar që në fillim, Nikolla Marku nuk është klerik. Ndaj, çdo shërbesë e kryer prej tij, pagëzime, martesa, varrime etj., janë sakrilegje dhe të pavlefshme për Kishën Orthodhokse (njësoj sikur t’i kryente një laik i çfarëdoshëm). Nuk dimë ç’kritere u ndoqën në marrjen e vendimit gjyqësor, por, sidoqoftë, është e qartë se nuk mund të ishin fetare dhe kanonikisht, ai nuk mund të konsiderohet, për asnjë arsye, prift orthodhoks.
4. Bëhet zhurmë se z. Marku është mbrojtës i autoqefalisë së Kishës. Kjo nuk është aspak e vërtetë.
Së pari, sepse veprimi i tij përçarës, i përkrahur nga forca të errëta antiorthodhokse, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj unitetit dhe Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, që mund të çojë vetëm në dëmtimin e asaj çka u arrit, me aq shumë mundime, nga 1922 deri më sot.
Së dyti, pretendohet se ai është hirotonisur nga një episkop i Kishës Orthodhokse të Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë. Përveç faktit se kjo hirotoni është e pavlefshme kur kryhet për një Kishë tjetër, duhet ditur se Kisha e Maqedonisë nuk njihet nga asnjë Kishë tjetër Orthodhokse dhe kjo e bën hirotoninë të pavlefshme dhe dyfish antikanonike. Dhe ajo që s’është kanonike nuk ka të bëjë me Orthodhoksinë. Pra, z. Marku mund të jetë klerik i Kishës së Maqedonisë, por kursesi i asaj Autoqefale të Shqipërisë. Sepse do të ishte sikur kryetari i bashkisë së Elbasanit të emërohej nga Bitola a Ohri. Me këtë veprim, të propaganduar nga dikush si “patriotik”, nga ana kishtare z. Marku e ka vënë enorinë e Kishës së Shën Marisë nën vartësinë e Kishës së Maqedonisë!…
5. Në artikull flitet me të padrejtë për qëndrime të ndryshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj kishës së Shën Marisë, në raport me kishën e Shën Thanasit. Të dyja janë prona të pandara të KOASH dhe ekzistojnë edhe projektet për restaurimin e kishës monumentale të Lagjes Kala, e cila, për shkak të dëmtimeve, ka nevojë për ndërhyrje urgjente, veçanërisht çatia. I vetmi ndryshim qëndron në faktin se okupimi i dhunshëm i kishës së Shën Marisë pengon fillimin e punimeve për restaurimin e saj.