Kisha e Dëshmorit të madh Shën Gjergj ka qenë në atë vend ku sot ngrihet biblioteka e madhe e Korçës. Dikur në këtë vend ishte hyrja e tregut të qytetit ose fundi i bulevardit me të njëjtin emër “Shën Gjergj”.
…Kishës së vjetër, nga dokumentet që zotërojmë deri më sot, nuk dihet kur i janë hedhur themelet. Njoftimet më interesante për hershmërinë e kësaj kishe na i jep studiuesja greke Adela, në një studim për Korçën, e cila përmend se gjatë prishjes së kishës së vjetër për ndërtimin e kishës së re, në fund të shekullit të 19-të, s’i shpëtuan dot prishjes as piktura të vogla, të cilat ishin të shekullit të 6-të e të 7-të.
Ndërsa sipas studiuesit N. Thëllimi, Thimi Mitkoja që ka qenë një studiues i kishave, shkollave, kodikëve të Mitropolisë e daton një ndërtim apo rindërtim në vitin 1253…
Në mesjetë kishën e Dëshmorit të madh Shën Gjergj e gjejmë të pozicionuar jashtë kalasë së Korçës, në cepin veriperëndimor të saj.
Ekzistojnë dhe një sërë dëshmish të tjera për vjetërsinë e saj. Së pari, pranë saj ka ekzistuar një varrezë e madhe, që shtrihej deri tek dyqanet e optikës, afër bankës tregtare të qytetit të Korçës. Kjo varrezë është identifikuar që në kohën e Luftës II Botërore, kur italianët hapën vendstrehime dhe kur në vitet 1950 u ndërtuan pallatet e reja nga optika deri tek Shën Gjergji. Gjatë hapjes së themeleve janë gjetur shumë eshtra dhe së fundi, kur u hap kanali për postën e re, apo, kur u hapën gropat për mbjelljen e pemëve përpara bibliotekës dolën mbi 13 varre të prera nga eskavatori.
Për këtë varrezë rreth kishës së Shën Gjergjit nuk flet asnjë autor, as kodiku 400-vjeçar i Mitropolisë së Korçës e Selasforit, gjë që tregon se ajo është para pushtimit turk dhe se duhet të këtë qenë varreza e kalasë së Korçës dhe kisha e Dëshmorit të Madh Shën Gjergjit, kishë e kësaj varreze. Siç dihet nga regjistri turk i vitit 1431 kalaja e Korçës ka qenë e banuar me banorë të krishterë.
Edhe kodiku i Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit, që në dokumentet e para të tij e përmend këtë kishë. Në dokumentin nr. 64 të këtij kodiku, i cili mban vitin 1707 përmendet Kisha e Shën Gjergjit dhe bëhet fjalë për shitjen e një are Vehbi qehajait që ndodhet pranë kishës së Shën Gjergjit.
Në dokumentin nr. 17 të po këtij kodiku, që mban vitin 1710, ku përmenden emrat e dhuruesve të Mitropolisë së Korçës, përmendet dhe emri i një voskopojari, i quajtur Dhimo Bakalli, i cili jep për kishën e Shën Gjergjit me kushtin kur të ribëhet.
Ky dokument na çon në përfundimin se, në fillim të viteve 1700 kjo kishë ishte shumë e vjetër dhe Mitropolia ka pasur një plan për rregullimin apo ngritjen e një kishe të re mbi të vjetrën që në këtë kohë. Kjo ndërmarrje mbeti një orvajtje, pasi në këtë periudhë kemi traçira në perandori e në vend, si dhe luftëra, kështu që popullata e krishterë u ngarkua me taksa të rënda. Ndërkohë komuniteti orthodhoks i Korçës kishte filluar ndërtimin e Kishës Katedrale të Burimit Jetëdhënës, e cila kërkonte shumë shpenzime pasi ishte shumë e madhe për kohën.
Në dokumentin nr. 15 të kodikut të madh të Mitropolisë, përmendet dhe rruga e Dëshmorit të madh Shën Gjergj, sot bulevardi i Shën Gjergjit, një nga rrugët më të vjetra të Korçës, të cilën ryfeti i tabakëve të Voskopojës e shtruan me kalldrëm prej Kishës së Shën Gjergjit deri në Varosh në fillim të viteve 1700.
Me rritjen e qytetit të Korçës gjatë shekullit të 19-të, sidomos, me lagjet e ndërtuara pas kishës së Shën Gjergjit, u bë domosdoshmëri ndërtimi i kishës së re. Kështu, në vitin 1875 korçarët prishën kishën shumë të vjetër dhe rrethuan me mure territorin mjaft të madh që ajo zotëronte si pronë dhe e bënë gati për ndërtimin e kishës së re.
Mitropolia e Shenjtë e Korçës mblodhi ndihma, si dhe fonde nga pasuritë e saj dhe në vitin 1881 filloi të ndërtojë kishën e re, të madhe e të bukur. Ndërtimi i nisur mbeti deri në xoklaturën e dritareve, pasi elementë turkomanë ishin ankuar deri në Portën e Lartë në Stamboll, se të krishterët e Korçës në krye të tregut po ngrinin një fortesë, dhe jo një kishë, me mure të gjera e të lidhura.
Pas ndalimit të punimeve Mitropolia e Korçës i kërkoi Patriarkanës së Konstandinopojës të ndërhynte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejen e ndërtimit e për të vazhduar punimet. Për këtë çështje, u bënë ndërhyrje të shumta dhe nga personalitete shqiptare të kohës, një nga të cilët qe dhe filantropi korçar Anastas Lakçe, i cili i premtoi qeverisë turke dhe financime për kazermën e Korçës (të debojës), ndërsa Mitropolia ia dhuroi vendin për ndërtimin e kësaj kazerme, vetëm e vetëm për të siguruar lejën e dytë për vazhdimin e punimeve.
Pas këtyre ndërhyrjeve, Porta e Lartë dërgoi specialistë arkitektë deri në Korçë, për të verifikuar ndërtesën në qoftë se ishte kishë apo kështjellë. Mbasi komisioni, me arkitekt nga Stambolli, dha raportin në të cilin thuhej se ndërtimi ishte një kishë dhe jo një fortesë, siç kishin kallëzuar, u dha ferman sulltanor për të vazhduar punimet.
Projektimi dhe ndërtimi i kësaj kishe është bërë nga mjeshtri korçar Naum Trasha, me origjinë nga Opari, i cili njihet dhe si ndërtues i shumë dyqaneve të pazarit të Korçës. Me këtë monument ai arriti të realizojë një zgjidhje të përkryer teknike dhe hapësinore të skemave të njohura bazilikale në trevën tonë. Kisha ishte e ndërtuar e gjitha prej guri, me blloqe të mëdhenj të lidhur me njëri-tjetrin me plumb, që krijonin një masë kompakte me kolonat, pilastrat, kapitelet, rozetat etj. Ndërtesa krijonte përshtypjen e një vëllimi të vetëm të gdhendur në gur, ku trajtimi i brendshëm me atë të jashtëm, materiali dhe përpunimi dekorativ ishin në unitet të plotë dhe buronte natyrshëm nota e theksuar monumentale e saj.
Filantropi dhe patrioti korçar Anastas Lakçe financoi që në fillim me 5000 napolona flori dhe më vonë me aq sa duheshin për mbarimin e kësaj kishe.
Ndërtimi i kësaj kishe mbaroi në vitin 1905, vit në të cilin dhe u përurua. Ajo cilësohej si një nga më të bukurat dhe më të mëdhatë në Shqipëri e më tutje…
Ikonat dhe pikturat e kishës ishin bërë nga piktorët vendas nga Dardha, Hoçishti dhe Ziçishti. Kjo kishë mbartte brenda piktura me vlerë artistike e interes kombëtar, gjithashtu vlen të përmendet dhe ikonostasi, i tëri i drunjtë, i punuar me një natyrë të re nga ustallarët korçarë. Nuk duhen harruar dhe shandanet e abazhuret e mrekullueshme me të cilat qe zbukuruar.
Duke qenë një kishë me madhështi të tillë, aty janë kryer aktivitete të mëdha për qytetin… Në të, më 1914, nga Atë Josif Qirici është mbajtur mesha e parë e plotë shqip në truallin shqiptar…
Po në këtë kishë, në vitin 1923 është dorëzuar kanonikisht Mitropolit Fan Noli nga dy mitropolitë shqiptarë të dërguar nga Patriarkana e Konstandinopojës…
Dy tërmetet, ai i vitit 1930 dhe ai i vitit 1960, do t’i dëmtonin kishës vetëm kambanoret e larta dhe pjesërisht kubenë e saj. Por tërmeti më i paimagjinueshëm do të qe ai i shpalljes së Shqipërisë shtet ateist që do të bënte të pabesueshmen në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70-të të shekullit XX dhe do pikëllonte çdo korçar, duke rrafshuar krejt me tokën këtë tempull të kulturës të artit, të arkitekturës e trashëgimisë sonë kombëtare…
Për prishjen e kishës u vunë në punë mjetet më të rënda teknike që zotëroheshin dhe shumë punëtorë, e megjithatë ajo mezi u prish. Blloqet e gurëve u përdorën për ndërtimin e stadiumit të lojërave me dorë, për bordurat e trotuareve etj.
Arben Gjata
(Marrë me shkurtime nga revista “Tempulli”, nr. 8)