EmailFacebookKontakt

Kisha e Shën Athanasit në Karavasta

Nga Ilirjan Gjika

Karavastaja nuk përfaqëson vetëm lagunën e njohur në pjesën perëndimore të Shqipërisë përgjatë brigjeve të detit Adriatik. Me këtë emër njihet edhe një nga vendbanimet e trevës së Myzeqesë, i cili për nga vjetërsia daton që nga mesjeta e vonë. Pikërisht këtu, gjatë viteve 1297-1274 kishte qendrën një nga familjet e njohura fisnike të kohës, Matrëngët e Karavastasë. Më pas në këtë zonë shtrinë pushtetin e tyre Muzakajt, Balshajt, Venediku dhe Arianitët, për t’i lënë vend më pas periudhës së gjatë të Pushtimit Osman (1431-1912).

Ndërkohë sot, Karavastaja, është një nga fshatrat e Bashkisë Divjakë e cila njihet edhe për një prej monumenteve të spikatura të besimit orthodhoks. E tillë është kisha e Shën Athanasit e cila, për shkak të vlerave historike, arkitektonike, kulturore dhe artistike, është shpallur monument kulture që nga viti 1963. Kisha është edhe objekt i rëndësishëm shpirtëror për besimtarët e kësaj zone qysh prej ndërtimit të saj, në vitin 1778.

Sipas Aleksudhit, Enoria e Karavastasë, përbëhej në vitin 1868 nga fshatrat Karavasta, Drizë, Çakajas, Pervaz, Remas, Muçias, Gur dhe Babunjë. Në to banonin 61 familje orthodhokse të cilëve u shërbenin dy priftërinj, kurse ritet fetare i realizonin në kishat enorike të Shën Athanasit dhe të Shën Parashqevisë në Karavasta, Shën Nikollës në Muçias dhe Shën Dhimitrit në Drizë. Pikërisht rreth këtyre objekteve, studiuesi Niko Ferro, në librin e tij “Kishat e Lushnjës dhe të Divjakës” thekson se: “Në fshatin Karavasta, përveç kishës së Shën Athanasit kanë ekzistuar edhe katër kisha të tjera si ajo e Shën Kollit (Nikollës), Shën e Premtes së Madhe, Shën e Premtes dhe Shën Mitrit (Dhimitrit). Sot, të katërta kishat janë në gjendje rrënoje.

Në librin e tij “Mbishkrime të kishave në Shqipëri”, Theofan Popa e klasifikon kishën e “Shën Athanasit” si bazilikë trenefëshe me tavan me madhësi 20 x 10 m. Sipas studiuesit Pirro Thomo ajo përbëhet nga naosi i tipit bazilikal me përmasa 14.80 x 8.10 m, ku nefet ndahen me dy radhë kolonash të lidhura me harkada gjatësore. Nefi qendror i naosit është më i gjerë dhe më i lartë se dy nefet anësore, të cilët janë pajisur me tavanë druri. Ndërsa naosi përbëhet nga tre hyrje të cilat ndodhen në pjesën veriore, perëndimore dhe jugore të tij. Ai rrethohet në anën veriore, perëndimore dhe jugore prej hajateve ku ai perëndimor është më i gjerë dhe mbështetet në katër kolona druri. Nga jashtë, kisha e Shën Athanasit ka një pamje të shkallëzuar ku në qendër ngrihet çatia dyujëse e nefit qendror. Pas saj, vijnë, në mënyrë të shkallëzuar nga të dyja anët, çatitë njëujëse të dy nefeve anësore dhe më pas ato të hajateve. Kisha është e suvatuar nga jashtë, ndërsa absida poligonale është ndërtuar prej blloqesh të guri të zbukuruara me harqe të punuar me tulla të kuqe. Ndërsa muratura e hajateve bëhet prej tullash kurse ajo e naosit prej guri.

Kisha është e pajisur me një ikonostas prej druri që ndan naosin nga altari i cili përbëhet nga protezisi, diakonikoni dhe bema. Ndërkohë që me material druri është punuar edhe tavani i secilit nef i zbukuruar me motive gjeometrike dhe medalione të pikturuara me ngjyra. Po kështu prej druri janë edhe stolat e besimtarëve dhe trarët lidhës midis kolonave dhe nefeve të naosit.

Kisha është dekoruar me afreske në vitin 1797 nga piktorët Gjergj dhe Joan Çetiri nga Grabova. Këtë e vërteton mbishkrimi që gjendet mbi portën jugore të kishës: “U pikturua ky tempull në kohën e të gjithëhirshmit, shenjtit të Beratit, zotit Joasaf, në kohën e kujdestarisë së Mitro Dukas. Me dorën e Gjergjit dhe të Joanit, të vëllezërve nga qyteti Grabovë, 1797, më 20 të muajit shkurt”.

Afresket përbëhen prej disa brezash dhe ndjekin të njëjtën tematikë si në të gjitha bazilikat e Myzeqesë të pikturuara nga Çetirët, përgjatë periudhës së gjysmës së dytë të shek. XVIII deri në gjysmën e parë të shek. XIX. Në to gjejmë skena nga Dhiata e Vjetër, Dhiata e Re, hierarkët, martirët, asketët, apostujt dhe shenjtorët. Nuk mungojnë edhe afresket që paraqesin shtatë shenjtorët sllavë, Shën Joan Vladimirin, Shën Nikodhimin, apo Gjyqin e fundit dhe figurën e shenjtorit të kishës, Shën Athanasit, të pikturuar në fasadën e murit perëndimor të kishës.

Edhe ikonat e ikonostasit të dikurshëm janë pikturuar prej dorës së këtyre mjeshtrave, një pjesë e të cilave ruhen dhe ekspozohen në disa prej muzeve kryesore dhe të rëndësishëm të vendit. Ndërkohë, duhet theksuar se në kishën e Shën Athanasit gjendet edhe disa spolie antike të marra nga Apollonia. Të tilla janë pjesa e një arkitrau të vendosur në njërën prej kolonave të naosit. Pikërisht, ky mbishkrim i “harruar” vlerësohet shumë prej arkeologëve, sepse është dëshmia e vetme rreth institucionit të Prytaneonit në Apolloninë e Ilirisë. Ndërkohë në dyshemenë e hajatit perëndimor ndodhet një pjesë kapiteli paleokristian. Mendohet se i përket rrënojave të një kishe të vjetër, që ishte ndërtuar më parë aty.

Në saj të kujdesit të vazhdueshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe restaurimit të zhvilluar në vitin 1999, kjo kishë, tashmë përfaqëson një ekspozitë muzeale të artit ikonografik shqiptar. Në vitin 2015, me financim të Ministrisë së Kulturës, u krye edhe restaurimi i afreskeve nga piktori dhe restauratori i njohur Mustafa Arapi.

Kështu, si askund tjetër këtu mund të kundrosh dhe të mahnitesh me magjinë e penelit të mjeshtrave të familjes Çetiri, dekorues të shumë kishave të Myzeqesë.