EmailFacebookKontakt

Kisha e gjallë për ju

Në hyrje të Beratit ndodhen rrënojat e një kishe – Shën Petrit dhe shën Pavlit, pranë një kodre që mban emrin Poshnje. Këtu, më 29 qershor pasdite, Imzot Ignati, i shoqëruar nga at Petraq Simsia dhe at Kristaq Subashi, bënë ajazëm dhe shërbesën e mbrëmësores, në prani të shumë besimtarëve të moshave të ndryshme.

Pas shërbesës, kryebariu Imzot Ignati në predikimin e tij tha: …Erdhi ora dhe për këtë strehë të Perëndisë, sepse asgjë s’është e pamundur kur kemi pranë Perëndinë. Kemi shpresën, besimin, optimizmin, ne do bëjmë të mundurën Perëndia të pamundurën. Po të mendojmë ku ishim dhe ç’kemi bërë me hirin e Perëndisë duhet të gëzohemi. Nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas janë rindërtuar e ngritur shumë faltore, qendra e përgatitjes së klerikëve Akademia (ku përgatiten klerikët) dhe Katedralja që po ndërtohet në qytetin tonë. Ne duhet ta pastrojmë vendin, të nxjerrim në pah themelet, të kujtojmë me respekt ata që shërbyen, si ikonom Josif Ziun, pra ne të bëjmë të mundurën me shpresë e besë, me frikë Perëndie pranë kësaj strehe.

S.M.