Konferencë rinore në qytetin e Korçës
“Kisha dhe çfarë ofron ajo në shoqëri”
“Kisha dhe çfarë ofron ajo në shoqëri”, ishte kjo tema dhe mesazhi i aktivitetit rinor të zhvilluar në qytetin e Korçës në mjediset e Qendrës së Biznesit Hotel “Kristal”, në datat 22 deri më 24 tetor 2004. Në këtë veprimtari morën pjesë grupe rinore nga gjithë dioqeza e Korçës, si: Leskoviku, Borova, Polena, Rehova, Prespa, Zvirina, Hoçishiti, Erseka, Korça, si edhe studentë nga Universiteti “Fan Noli”.
Aktiviteti u organizua nga Zyra e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë Korçë, në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Rinisë dhe pati një program të ngjeshur me tema shpirtërore si edhe lojëra e aktivitete të tjera argëtuese.
Kumtesa kryesore u mbajt nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Imzot Joani, me temë “Kisha dhe çfarë ofron ajo në shoqëri”. Në mbrëmjen e ditës së shtunë z. Nathan Hoppe, pedagog në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, Durrës foli mbi temën: “Shkrimi i Shenjtë, rëndësia dhe përjetimi i tij në Kishë”. Ky aktivitet u dha mundësi të rinjve të vizitojnë disa kisha të qytetit, si ajo e Shën Thanasit dhe e Profetit Ilia, në ambientet e së cilës u mbajt dhe kumtesa e parë. Gjatë mbasdites të ditës së premte në ambientet e hotelit “Kristal” u zhvilluan aktivitete të ndryshme argëtuese, si edhe u bë ndarja e pjesëmarrësve në grupe. Kjo gjë shërbeu edhe për zhvillimin e “Lojërave olimpike”, të cilat u zhvilluan ditën e shtunë paradreke, ku fitues doli grupi “Urtësia”, i cili përbëhej nga të rinj që vazhdojnë studimet në Universitetin “Fan Noli” të Korçës.
Ndërsa dita e tretë dhe mbyllëse e aktivitetit filloi me Liturgjinë Hyjnore në kishën “Ngjallja e Krishtit”. Pas mbarimit të Liturgjisë në katin e poshtëm të katedrales së qytetit të rinjtë u takuan me njëri-tjetrin, gjë e cila shënoi mbylljen e aktivitetit, nga ku të rinjtë pjesëmarrës u larguan me një mendim të qartë, se çfarë është Kisha dhe cili është misioni i saj.
Korresp. i “Ngjalljes”