Si shumë kisha të tjera edhe ajo e Shën Thanasit në Piqeras u shemb në vitet e diktaturës. Mbi themelet e saj u ndërtua një klub dhe një pallat banimi. Me ringjalljen e besimit, besimtarët kërkuan dhe morën klubin, të cilin e kthyen në kishë që nga dhjetori 1991, ndërsa më 5 janar 1992 aty u mbajt liturgjia e parë. Që nga ajo ditë kanë funksionuar rregullisht si kisha edhe këshilli i saj. Në objekt u vendosën ikonostasi, ikona, orenditë e shenjta dhe këmbana. Por nuk qe e thënë të vazhdonte kështu.
Me një vendim arbitrar ndërmarrja tregtare e shit-blerjes Sarandë ia shiti ish-lokalin një privati nga Piluri, i cili synon që ta kthejë në kafene. Besimtarët dhe këshilli kishtar nuk e lejuan një veprim të tillë të papërgjegjshëm, i cili të kujton ateizmin më të zi të viteve të diktaturës. Edhe këshilli i rrethit, për arsye se objekti ishte ndërtuar, siç thamë më lart, mbi themelet e kishës së vjetër. Privati iu drejtua gjykatës, e cila, çuditërisht, i dha të drejtë dhe urdhëroi këshillin kishtar të boshatisë ndërtesën dhe ta dorëzojë për t’u kthyer në kafene!
Tani çështja i ka kaluar shkallës së dytë të gjykimit dhe më datë 28 shkurt u zhvillua dhe një liturgji në mbrojtje të kishës. Por, të çudit dhe të shqetëson vendimi i gjykatës. Një trup gjykues, i përbërë plotësisht nga gjyqtarë të besimeve të tjera, merr një vendim, antiligjor, për prishjen e një kishe. A nuk i mendojnë ata pasojat që mund të rrjedhin nga papjekuria e tyre? (Themi papjekuria, sepse s’duam të besojmë se mund të kemi të bëjmë edhe me një provokacion).
Korresp. i “Ngjalljes”