Gjatë periudhës së luftës së ethshme ateiste, në vitet e para të saj, kur regjimi u përpoq të zhdukte çdo simbol të besimit fetar, grupi i posaçëm i kontrollit dhe i sekuestrimit të objekteve të shenjta kishëtare (shtëpi më shtëpi) pasi rrëmbyen çdo objekt që gjetën, u larguan me frymë triumfatori nga një banesë besimtarësh. E zonja e shtëpisë, një grua në moshë të shkuar, e pikëlluar në kulm, i thërret përsëri anëtarët e grupit të kontrollit dhe u thotë:
– Keni lënë edhe një ikonë të shenjtë pa marrë.
Anëtarët e grupit panë me habi njëri-tjetrin, ndërsa gruaja e moshuar, me një qëndrim krenar u tha:
– Këtë ikonë nuk do të ma merrni… kurrë.
Dora e saj plot vendosmëri bëri simbolin e Kryqit. Dhe shtoi:
– Merreni, po keni mundësi.