Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, nëpërmjet bashkëpunimit të pesë komuniteteve fetare zyrtare në vendin tonë, ka ndërmarrë nismën humanitare të radhës, duke ndihmuar me mjete spitalore në vlerën e 5 mijë dollarëve spitalin “Përparim Tepelena” të qytetit. Donacioni vjen në një kohë sfidash për shëndetin e qytetarëve të vendit tonë, që prej gati dy vitesh po përballet me pandeminë e Covid-19. Iniciativa u ndërmor me nismën e Kryetarit në detyrë të KNFSH-së, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Mjetet u blenë me kontribute të barabarta të të gjitha komuniteteve të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Gjatë dorëzimit të këtyre ndihmave në spitalin e Tepelenës ishin të pranishëm Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe përfaqësues nga komunitetet fetare rajonale. Kisha jonë u përfaqësua nga atë Viktor Jani, klerik i Mitropolisë së Gjirokastrës. Spitali u ndihmua me krevate spitalore, karrige me rrota për urgjencën, kondicionerë, aparate tensioni, oksimetra etj.
Në ceremoninë e dorëzimit ishin gjithashtu të pranishëm Kryetari i Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi dhe Drejtoresha e spitalit “Përparim Tepelena”, znj. Suela Selimi, të cilët e përshëndetën këtë nismë si një model frymëzues.
Takimi u përmbyll me një vizitë në ambientet spitalore dhe me dëshirën për të vazhduar me këto nisma për njerëzit dhe institucionet në nevojë.
G K.