Kur mbërriti në vendin tonë, Kryepiskopi u ndesh me zbrazëtirën e frikshme shpirtërore dhe materiale që kishte lënë ateizmi zyrtar, por nuk u step. Ai iu përkushtua ndryshimit të gjendjes, duke nisur me hapjen e Seminarit për përgatitjen e klerikëve të rinj dhe duke vazhduar me restaurimin e objekteve ekzistuese dhe me përpjekjet për ngritjen e kishave të reja. Ishte kjo punë vetëmohuese, e cila i bindi orthodhoksët e Shqipërisë, që t’i kërkonin zyrtarisht Patriarkanës Ekumenike ta kishin Anastasin Atin dhe Kryebariun e tyre. Pranimi prej tij i një shërbese të tillë ishte, ashtu siç është shprehur edhe vetë më pas: “Jo fron pushteti, por kryq sakrifice”.
Tiranë, më 30 maj 1992
Tërëshenjtëri,
Me Hirin hyjnor, riorganizimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me përpjekjet e anëtarëve të saj besimtarë dhe me iniciativat kishtare të ndritshme të Patriarkanës Ekumenike, të Qendrës së Nderuar të Orthodhoksisë dhe të veprimeve të urta e të palodhshme të Ekzarkut të Patrikanës Ekumenike, Mitropolitit Prof. Anastas, po ecën në mënyrë të jashtëzakonshme. Me dhjetëra famulli orthodhokse janë ringritur në tërë vendin, me këshilla kishtare të zgjedhura, shumë Kisha ripërtërihen dhe rindërtohen, klerikë të rinj po hirotonisen, përherë e më shumë pagëzime e mistere të tjera po kryhen. Kursi Teologjik – hieratik me 58 studentë gjatë katërmujorit të fundit dhe shënoi një sukses të veçantë.
Pashka e sivjetme u festua me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve orthodhokse në kishat e qyteteve e të fshatrave në tërë Shqipërinë. Udhëheqja e re e vendit, e zgjedhur në mënyrë demokratike, e nderoi në mënyrë të veçantë Kishën tonë me letra përshëndetjeje, deklarata, vizita zyrtare të Shkëlqesisë së Tij Sali Berisha, President i Republikës, Shkëlqesisë së Tij Aleksandër Meksi, Kryeministër, Shkëlqesisë së Tij Pjetër Arbnori, Kryetar i Parlamentit dhe të kuadrove të tjerë të shquar të saj. Transmetimi shumorësh i Shërbesës së Pashkës nga TV Shtetëror vuri në dukje në gjithë Shqipërinë rëndësinë, bukurinë dhe vlerën e Orthodhoksisë. Me mijëra njerëz kërkojnë ta njohin atë më mirë.
Por, që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të mund t’u përgjigjet kërkesave të mëdha e urgjente të kohës dhe nevojave të shumta të saj, që të shpejtohet ritmi i riorganizimit të saj, por edhe të sigurohet tërësia e saj nga futjet dhe ndërhyrjet e qendrave të tjera kishtare dhe, së fundi, që ajo mund të përfaqësohet në mënyrë kanonike dhe plotësisht në të gjitha mbledhjet dhe punimet e Kishës Orthodhokse dhe në përgjithësi të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në të gjitha veprimtaritë ndërkristiane, mendojmë se paraqitet nevoja që të ketë sa më shpejt që të jetë e mundur një Hierarki te aftë e të përshtatshme, të cilën e zhduku persekutimi shumë i egër ateist.
Prandaj i paraqesim me devocion Kishës Mëmë të Konstandinopojës lutjen që, duke u mbështetur në interesimin e njohur dhe në kujdesin kanonik të saj për Kishën Orthodhokse lokale në vuajtje, dhe Kryekishë ndërmjet Kishave Orthodhokse, si edhe si Kishë që i akordoi Autoqefalinë bijës së saj, të veprojë gjithçka duhet, në bazë të së drejtës dhe detyrës, në mënyrë që plotësohet formimi kanonik dhe struktura e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që tashmë ekziston, që ajo t’u përgjigjet kanonikisht me forcat e veta nevojave gjithnjë në rritje si brenda ashtu dhe jashtë saj.
Këtë letër ua dorëzon Kreut Tuaj të Lartë të Përndershëm një përfaqësi e Këshillit të Përgjithshëm Kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e përbërë nga të përndershmit At Gaqo Petri At Kozma Qirjo dhe nga të nderuar Dhimitër Beduli dhe Aleko Dhima, të autorizuar për çdo propozim dhe veprim të mëtejshëm.
Mbi këto, duke shprehur përsëri mirënjohjen e orthodhoksëve në Shqipërisë për çdo gjë të çmuar që ka bërë Kisha Mëmë të Konstandinopojës për ringritjen kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbetemi me respekt shumë të thellë më Jisu Krishtin,
Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë