EmailFacebookKontakt

Këmbanat dhe këmbanoret në Kishën Orthodhokse

U përurua Këmbanorja e Kishës Katedrale të Tiranës

Këmbanat dhe këmbanoret në Kishën Orthodhokse

Kisha Katedrale e Ungjillëzimit në Tiranë, me kujdesin dhe kontributin e drejtpërdrejtë të Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, dita ditës po zbukurohet dhe merr formën e saj më të plotë.

Pas rikonstruksionit të përgjithshëm, të brendshëm e të jashtëm të ndërtesës së saj, pas pajisjes me llampadarë, ikonostas, ikona, amvon, frone e pajisje të tjera që të gjitha të reja, më datën 24 mars 1994, në vigjiljen e së kremtes të Ungjillëzimit, që është dhe dita e emrit dhe panairit të Katedrales, u përurua, me pjesëmarrjen dhe bekimin e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit tonë dhe të një shumice besimtarësh orthodhoksë, këmbanorja e saj, e rikonstruktuar plotësisht dhe e pajisur me pesë këmbana të reja, të cilat, me tingullin e tyre melodioz e në disa variante, do t’u bëjnë të njohur besimtarëve Orthodhoksë të Komunitetit tonë kohën e zhvillimit të shërbesave të shenjta fetare.

Me këtë rast, po japim më poshtë disa të dhëna për rolin e këmbanave dhe të këmbanores në Kishën Orthodhokse.

Këmbana është një instrument i bërë nga një aliazh metalik tingëllues. Si shpikës i këmbanës konsiderohet Paulin de la Nola nga krahina Kampania, i cili ka jetuar rreth viteve 400 pas Krishtit. Emrin këmbanë instrumenti e ka marrë nga emri i krahinës. Përdorimi i këmbanave në Kishën Orthodhokse fillon nga viti 842 pas Krishtit e këtej, vit kur doxhi i Venetikut Ursus Patricianus i dërgoi si dhuratë perandorit të Bizantit Mihailit të III disa këmbana.

Me rënien e këmbanave lajmërohen të krishterët për fillimin e shërbesave të ndryshme fetare në Kishë, siç janë: shërbesa e mbrëmjes, e mëngjesit dhe e meshës hyjnore, si edhe për disa nga momentet më të rëndësishme të zhvillimit të tyre. Gjithashtu, me rënien e këmbanave, ata lajmërohen edhe kur ndërron jetë ndonjë nga pjesëtarët e Komunitetit. Këmbanat vendosen zakonisht në një ndërtesë të lartë në formë pirgu, të ngritur ose veças, ose mbi trupin e Kishës, po gjithnjë nga ana perëndimore e saj, nga ana e hyrjes.

Në Shqipëri, të gjitha kishat dhe manastiret kanë pasur këmbana dhe këmbanore, nga më të thjeshtat gjer në më të bukurat nga ana arkitektonike dhe nga ana e vjetërsisë, që përbënin, së bashku me ikonostaset, ikonat, amvonet e pajisjet e tjera kishtare, një thesar të paçmuar shpirtëror, kulturor dhe kombëtar të orthodhoksisë sonë 20-shekullore.

Para përdorimit të këmbanave në Kishë përdorej tak-taku. Tak-taku ishte një copë dërrase druri e stazhionuar mirë, e gjatë rreth dy metra dhe e gjerë 20 cm, e varur në një gozhdë me anë të një cope litari, të kaluar nëpër dy vrima të hapura apostafat në qendër të dërrasës. I binin me një ose dy çekane druri. Më vonë tak-taku u bë prej hekuri, po në formë më të vogël. Tak-taku përdoret edhe sot nëpër manastiret e sidomos në Malin e Shenjtë.

Në Komunitetin Orthodhoks të Tiranës, tak-taku është përdorur gjer tani vonë. Në Kishën e vjetër të Shën Prokopit është përdorur gjer në vitin 1938, kur ajo, me vendimin Nr. 11, datë 11 shkurt 1937 të Komisionit rregullues të Tiranës së re, u prish. Edhe në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, të ndërtuar më 1874 nuk ka patur këmbanë dhe përdorej tak-taku prej hekuri. Kjo ndodhte, sepse që kur atdheu ynë u pushtua prej perandorisë Osmane, qe e ndaluar rënia e këmbanave dhe ngritja e këmbanoreve. Lejohej vetëm me vendim sulltanor dhe në rastet kur ndërhynin pranë Portës së Lartë ndonjëra nga fuqitë e mëdha të kohës, si Austro-Hungaria apo Rusia Cariste, që kishin nën mbrojtje të krishterët e Ballkanit në perandorinë Osmane. Këmbana e parë në Kishën e Ungjillëzimit të Tiranës është vendosur më 1902, pas një incidenti që kishte ndodhur në 25.12.1901, kur një muezin fanatik tiranas shtiu me armë nga minarja e xhamisë, që ishte në vendin ku sot ndodhet ndërtesa e Muzeut Kombëtar, kundër të riut orthodhoks Kol Roçit, që po i binte tak-takut. Këmbana u vendos me ndërhyrjen e Konsullatës Ruse në Shkodër dhe të Ambasadës Ruse në Stamboll si dhuratë e Kishës Orthodhokse Ruse.

Më vonë, dhe pikërisht më 24.3.1944, pranë Kishës së Ungjillëzimit u përfundua së ndërtuari me shpenzimet e një gruaje shpresëtare orthodhokse tiranase dhe u përurua një këmbanore e re, ku u vendosën, veç këmbanës dhuratë të Kishës Ruse, edhe dy këmbana të reja të sjella nga Italia, po me shpenzimet e bamirëses Maria Niça.

Në vitin 1941 u ngrit dhe u përurua (6 prill 1941) Kisha e re e Shën Prokopit. Në projektin e bërë prej arkitektit tonë të shquar e shpresëtar, të ndierit ing. Skënder Luarasit, qe parashikuar të ndërtohej dhe një këmbanore e veçantë. Po nuk arriti të ndërtohej, për shkak të rrethanave të luftës. Në vend të saj u bë një këmbanare prej druri, ku u vendos një nga këmbanat e Kishës së Ungjillëzimit.

Në vitin 1963 u vendos në mënyrë arbitrare nga regjimi ateist-komunist i kohës, të prishej edhe Kisha e Ungjillëzimit, e cila ishte në qendër të Tiranës, aty pikërisht ku ndodhet hoteli “Tirana”, dhe që u vriste sytë atyre, e të ndërtohej një kishë tjetër, larg qendrës. Ndërtimi u krye më 1964 dhe Kisha u përurua më 21 mars 1965. Pranë Kishës, sipas projektit të bërë po nga arkitekti i sipërpërmendur, u ndërtua dhe këmbanarja, e thjeshtë po e bukur, ku u vendosën këmbanat.

Mirëpo, ja që erdhi dita e zezë e 6 shkurtit 1967, dita e shpalljes së hapur të luftës kundër institucioneve tona fetare, kundër arkitekturës, artit dhe kulturës tonë tradicionale më me vlerë. U mbyll dhe Kisha Katedrale e Tiranës. U morrën ikonat, epitafet, kodikët, arkivi, këmbanat, gjithçka me vlerë. Kisha u transformua në palestër sportive. Këmbanorja u deformua. Kisha e bukur e Shën Prokopit qe prishur që në vitin 1960, e transformuar në restorant.

Po, pas së premtes së zezë, pason Ngjallja. Dhe Ngjallja erdhi. Regjimi ateist-komunist u përmbys. U vendos demokracia. Kisha Katedrale u rimor dhe u rikonstruktua dhe këmbanarja e saj. Dhe u pajis, jo më me tri, po me pesë këmbana, që do të vazhdojnë të përhapin përsëri fuqishëm me zërin e tyre të ëmbël dhe harmonik, mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të vllazërimit midis njerëzve, që predikon dhe do t’i predikojë në jetë të jetëve Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale.

Dh.B.