EmailFacebookKontakt

Kavajë – U kremtua me madhështi Shën Parashqevia

Në datën 26 korrik, u kremtua Shën Parashqevia (e Premtja), në kishën mrekullibërëse me të njëjtin emër, në fshatin Çetë, pranë qytetit të Kavajës.

Morën pjesë besimtarë nga qyteti dhe zona e Kavajës, si dhe nga qytete e zona të tjera të vendit, si: Tirana, Durrësi etj. Shumë besimtarë ishin mbledhur aty që në mbrëmjen e një dite më parë, për të ndjekur Shërbesën e Mbrëmësores dhe për të qëndruar gjatë natës në lutje.

Të nesërmen, Liturgjia Hyjnore u krye nga Episkopi i Bylisit, Asti, bashkë me klerikët: atë Petro Thanasi, atë Gjerasim Çakalli, atë Ilia Mazniku, atë Emanuel Lusha, atë Emanuel Lapanxa dhe dhjakon Spiro Topanxha.

Rreth jetës së shenjtores foli atë Ilia, i cili foli edhe për këtë vend të shenjtë e të bekuar, që, ndër vite, ka sjellë shërime, mrekulli dhe bekim për shumë njerëz, të krishterë dhe jo të krishterë.