EmailFacebookKontakt

Kathizma e Tretë – Psalmi XVII

Davidit, shërbëtor i Zotit, që ia drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge atë ditë që Zoti e ruajti nga duart e gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Dhe tha:

Do të të dua, o Zot, fuqia ime. Zoti është mbështetja ime, dhe streha ime, dhe çlirimtari im.
Perëndia im, ndihmësi im, tek i cili shpresoj, mburoja ime dhe balli i shpëtimit tim, dhe mbrojtësi im.
Zotin do të thërres duke e lavdëruar dhe nga armiqtë e mi do të shpëtoj.
Dhimbjet e vdekjes më rrethuan dhe përrenjtë e ligësisë shumë më tronditën.
Dhimbjet e hadhit më qarkuan, kurthet e vdekjes më arritën.
Dhe në ngushticën time iu luta Zotit dhe i thirra Perëndisë tim.
Dëgjoi zërin tim nga tempulli i vet i shenjtë dhe britma ime përpara do të arrijë në veshët e tij.
Dhe toka u tund edhe u drodh, themelet e maleve u tundën e u shkundën; se me ta u zemërua Perëndia.
Tym i doli në zemërimin e tij dhe zjarr që djeg nga fytyra e tij, dhe thëngjij të ndezur prej saj.
Dhe uli qiejt e zbriti, dhe errësirë kishte nën këmbët e veta.
Dhe mbi një qeruvime hipi e fluturoi; fluturoi mbi krahët e erërave.
Dhe errësirën e bëri vendin e tij të fshehtë, rreth tij, tenda e tij, errësira e ujrave në retë e erërave.
Nga ndriçimi që e printe, retë u davaritën me breshër e me thëngjij të ndezur.
Dhe Zoti gjëmoi në qiejt, dhe i Shumëlarti zërin e vet nxori.
Shigjeta dërgoi dhe i shpërndau ata; rrufe me shumicë lëshoi dhe i shpartalloi.
Dhe u dukën burimet e ujrave dhe themelet e botës u zbuluan nga qortimi yt, o Zot, nga era që fryu prej zemërimit tënd.
Nga lart dërgoi e më mori, jashtë më nxori nga ujrat e shumtë.
Do të më shpëtojë nga armiqtë e mi të fuqishëm dhe nga ata që më urrejnë se janë më të fortë nga unë.
M’ u vërsulën në ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti u bë mbështetja ime.
Dhe jashtë më nxori në vend të hapur do të më çlirojë, se më deshi.
Zoti do të më shpërblejë sipas drejtësisë sime, dhe do të më paguajë sipas pastërtisë së duarve të mia.
Se rrugët e Zotit ruajta dhe nuk ularova pabesisht nga Perëndia im. Se i mbajta gjithë ligjet e tij përpara meje, dhe nuk i largova nga vetja porositë e tij.
Dhe do të jem i panjollë përpara tij dhe veten do të ruaj nga paligjësia ime.
Dhe Zoti sipas drejtësisë sime do të ma shpërblejë, dhe sipas pastërtisë së duarve të mia para syve të tij.
Me oshënarin do të jesh oshënar, dhe me njeriun e pafajshëm, i pafajshëm do të jesh; dhe me të zgjedhurin, i zgjedhur do të jesh; dhe me të shtrembërin do të shtrembërohesh.
Se ti do të shpëtosh një popull të përulur në fatkeqësi dhe sytë e mendjemëdhenjve do t’i ulësh poshtë.
Se ti do të ndriçosh kandilin tim; ti, o Zot, Perëndia im, do ta ndriçosh errësirën time.
Se me anën tënde do të shpëtoj nga ngasja dhe me Perëndinë tim murin do të kapërcej.
Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit e provuar me zjarr; ai është mburoja e gjithë atyre që në të shpresojnë.
Se kush është Perëndi përveçse Zoti? Apo kush është Perëndi përveçse Perëndia ynë?
Perëndia është ai që më ngjesh me fuqi, dhe rrugën time e bëri të panjollë.
Këmbët e mia i bën si të drerit, e më vendos në vendet e mia të larta.
Ti mëson duart e mia për luftë dhe në krahët e mi vure shtizë prej bakri.
E më dhe mburojën e shpëtimit tënd, dhe e djathta jote më mbështeti, e mësimi yt lart më ngriti gjer në fund dhe po ky do të më udhëzojë. Rrugën zgjerove nën hapat e mi, dhe këmbët e mia nuk u lëkundën.
Do t’i ndjek armiqtë e mi dhe do t’i arrij, dhe prapa s’ do të kthehem deri sa të zhduken.
Do t’i dërrmoj ata dhe më s’ do munden të qëndrojnë; nën këmbët e mia do të bien.
Dhe më ngjeshe me fuqi për luftë; nën këmbë i vure poshtë kundërshtarët e mi.
Dhe bëre të kthejnë shpinën para meje armiqtë e mi, e i shpartallove ata që më urrenin.
Thirrën Zotin, por s’kish kush t’i shpëtonte, se nuk i dëgjoi ata.
Do t’i thërrmoj ata si pluhur faqe erës, poshtë do t’i hedh si baltën shesheve.
Më çliro nga mosmarrëveshjet me popullin, në krye kombesh do të më vesh.
Një popull që nuk e njihja më shërbeu; sapo më dëgjuan të flas, më vunë vesh.
Bij të huajsh u përkulën para meje.
Bij të huajsh u drodhën, dhe dolën nga strehimet e tyre.
Rron Zoti. Dhe i bekuar është Perëndia, dhe u lartësoftë Perëndia i shpëtimit tim.
Perëndia që mori shpagim për mua e popujt m’i nënshtroi, që më shpëtoi nga armiqtë e mi të zemëruar.
Por ti do të më lartësosh mbi kundërshtarët e mi dhe do të më shpëtosh nga njeriu i padrejtë.
Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër kombet, dhe emrin tënd do të psal.
Që mbretin madhërisht shpëton, dhe përdëllen të mirosurin e tij, Davidin dhe farën e tij për jetë të jetëve.