EmailFacebookKontakt

Nderim 12 kishave të Çarshovës

Fshati Çarshovë i Përmetit ka pasur më parë 12 kisha, të cilat mbanin emrat e 12 shenjtorëve. Sot kanë mbetur vetëm gërmadhat e tyre.

Kohët e fundit një grupi besimtarësh të fshatit u lindi një ide që në nderim të atyre kishave të ndërtonin një konizmë të madhe në hyrje të fshatit.

Kështu u përcaktua vendi, u bë projekti, u sigurua baza materiale, si edhe pajisja e brendshme. Menjëherë Gjergji, Vasili, Viktori, Jorgji, Koçua, së bashku me nxënësit e katekizmit të Kishës së Shën Kozmait të fshatit, filluan nga puna. Konizma përfundoi brenda 20 ditëve dhe u bë bekimi nga At Vasil Thomollari, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve.

Kishëza ka dimensione 2,5 x 2,5 x 2 m2 dhe është e pajisur me një ikonostas shumë të bukur, ku janë vendosur ikonat e 12 shenjtorëve, që përfaqësojnë 12 kishat e fshatit. Në hyrje një pllakë mermeri me mbishkrimin: “Nderim 12 kishave të Çarshovës”. Konizma është ndërtuar me gur të bardhë të skalitur, sjellë nga gryka e Këlcyrës. Hyrja në formë qemeri, po kështu dhe kubeja e brendshme mbushur bukur me dërrasa guri. Bie në sy një kryq i madh, me 1 m lartësi, me dritë neoni, i sjellë enkas që nga Athina si dhuratë. Ai ndriçon gjithë natën kryqëzimin e rrugëve të kalimit Çarshovë-Përmet-Korçë-Tri Urat. Kalimtarë të shumtë vizitojnë këtë kishëzë, të bukur me një ikonostas të pasur.

Kjo nuk është ndonjë vepër e rëndësishme, por i madh mbetet simboli i besimit dhe nderimi për 12 kishat e shkatërruara. Kjo banesë e vogël e besimit orthodhoks do të mbetet një përmendore, që do të trashëgohet në vite, si një dhuratë e këtyre besimtarëve të fshatit, të cilët me kontributin e tyre vullnetar shpenzuan rreth 1.3 milionë lekë të vjetra për ndërtimin dhe pajisjen e saj.

Ditët e fundit janë mbjellë 12 lloje të ndryshme trëndafilash në formë harku, si dhe do të mbillen 4 selvi e shelgje lotues, duke e zbukuruar më shumë.

Në të ardhmen, ky grup besimtarësh, së bashku meAt Vasilin dhe 40 nxënësit katekistë të fshatit do të ngrenë një konizmë të re afër Tri Urave, si dhe 2 kryqe madhështorë në lartësinë e kodrave përreth.

Të gjithë kontribuesit paçin bekimin e Perëndisë.

Gjergji Haxhi mësues katekist, Çarshovë-Përmet