Më datën 11, të Dielën e Dafines, që çel javën e Madhe të Pashkës, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas, dha liturgjinë hyjnore në kishën katedrale të Transfigurimit të Shpëtimtarit të qytetit të Gjirokastrës. Herën e parë që Kryepiskopi Anastas vizitoi këtë Kishë, në gusht 1991, ajo ishte në gjendje tepër të keqe, ndërsa tani punët restauruese gati kanë mbaruar.
Në këtë liturgji hyjnore u zhvillua edhe ceremonia e hirotonisjes në prift e dhiakut Kostandin Daci nga Cuka e Sarandës, një vazhdim i traditave familjare, pasi edhe i jati i tij Joan Daci, ishte hirotonisur prift po në këtë kishë në prill të 1939. Më pas ai njohu 11 vjet burgim e internim nga ana e regjimit komunist ateist. Pas liturgjisë hyjnore në Kishën e Kryeëngjëjve Mihail dhe Gavril kryepiskopi u takua me mësuesit e katekizmit të gjithë zonës së Gjirokastrës dhe shkëmbeu me ta mendime rreth mbarëvajtjes së mësimeve dhe problemet që u dalin, si dhe për çështje të përgjithshme të kishës.
Mbasditen e së dielës, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, kreu shërbesën e Nifonit në kishën e Shën Harallambit të qytetit të Sarandës.