EmailFacebookKontakt

Kasiania, kompozitorja

Ishte gruaja e vetme, himnet e së cilës kaluan në adhurimin (e Kishës). E famshme për nga bukuria, arsimi, mendjemprehtësia, urtësia, poligrafia dhe shpresëtaria – Kasiania, Ikasia ose Kasia (gr = kanellë), duhet të ketë lindur në vitet 800-805 nga prindër aristokratë në vend të panjohur.

Pika kritike e jetës së saj ishte episodi i shumëpërfolur me perandor Theofilon (829-842). D.m.th. ka mundësi të ketë ndodhur pak para vitit 832 ku mblodhën në pallat vajza nga e gjithë perandoria, tërheqëse nga pamja, me qëllim që të zgjidhte bashkëshorten e tij, sipas shembullit të Esthirit (2.2-4). Mbretëreshë do të bëhej ajo, së cilës mbreti do t’i jepte në dorë mollën e artë, sipas një zakoni të vjetër lindor.

U verbua nga dëlirësia mahnitëse e Kasianisë jetime, por para se t’i jepte mollën i hodhi një fjalë se nga gruaja (nënkuptonte Evën) buruan të këqijat. Me shkathtësi dhe zgjuarsi iu kundërpërgjigj se nga gruaja (nënkuptonte Shën Marinë) burojnë të mirat. Përgjigjja që i mbylli gojën perandorit e frenoi dhe e bëri atë të zgjidhte Shën Theodhorën (11 Shkurt).

Kasianinë e fitoi dhëndri qiellor: Ngriti manastir në Konstandinopojë, ku kaloi jetën e saj të gjatë dhe shkruante himne të shkëlqyera dhe muzikën e tyre të ëmbël dhe kataniktike (shpirtdërrmuese) gjithashtu dhe epigrame jambike dhe fjalë të urta.

Sipas traditës, kur dikur Theofilo vizitoi manastirin, oshënarja u fsheh, duke ndërprerë kompozimin e “troparit” të shumëpërfolur të saj, në atë pikë ku Eva pas mosbindjes dëgjoi e frikësuar hapat e Perëndisë (Gjen. 3.8-10). Mbreti pa se ku kishte ndalur shkrimin oshënarja dhe i shtoi troparit se Eva (nënkuptonte Kasianinë) “nga frika u fsheh”! Të vetat janë dhe tropari i Krishtlindjeve “Kur u bë monark Augusti” dhe pjesërisht kanoni “Zoti që njëherë” i të Shtunës së Madhe.

Në asnjë vend nuk e takojmë si shenjtore, por e vetshpallën të tillë kasianët (banorët e ishullit Kasos në Egje) sepse gjoja ishte bashkatdhetare e tyre!

Tropari i Kasianisë
psalet në mbrëmjen e së Martës së Madhe
(në Mëngjesoren e së Mërkurës së Madhe)

O Zot, gruaja që ra në shumë mëkate,
duke njohur Hyjninë tënde,
merr detyrën e mirësjellëses e duke vuajtur,
të sjell miro para varrimit. Dhe thotë:
E mjera unë, se jetoj në një natë të errët e të pahënë,
në dashuri mëkati që si zekth më shtyn në ndyrësi.
Po Ti që ngre lart ujin e detit dhe e kthen në re,
Prano burimet e lotëve të mi.
Përkulu para rrënkimeve të zemrës sime.
Ti që përkule qiejt me zbritjen tënde të patreguar.
Do të path këmbët e tua të kulluara dhe do t’i fshij me gërshetat e kokës sime.
Trokëllimën e këtyre, kur e dëgjoi në mbrëmje
Eva në parajsë t’i oshëtijë në vesh,
nga frika u fsheh.
Mëkatet e mia të shumta, por edhe thellësinë e pafund të gjykimeve të tua,
kush do t’i gjurmojë, o Shpëtimtari im shpirtshërbyes?
Mos e hiq vështrimin tënd prej meje, shërbëtores sate,
Ti që ke mëshirë të pamatur.