Rusi
Kanonizohet një martir i periudhës komuniste
Krerët e dioqezës së Moskës kanë bërë kanonizimin e një shenjtori lokal. Më 18 prill, pasi kishin marrë bekimin e Patrikut të Moskës Aleksej II dhe pasi ishin konsultuar me komisionin sinodial për kanonizimin, u shkrua në listën e shenjtorëve lokalë at Kostandin Golubev (1852-1918), që “ka përhapur Ungjillin deri sa derdhi gjakun e vet për Krishtin”, siç përmendej në aktin e kanonizimit.
Misionar laik në dioqezën Saratov, më vonë prift në enorinë kryesore të qytetit Bogorodsk, sot Noginsk (rajoni i Moskës), at Kostandin Golubev e ktheu jetën e vet në një veprim të gjallë pastoral dhe misionar, duke punuar veçanërisht në mes të popullsive të ndikuara nga propaganda e sekteve. U arrestua në majin e vitit 1918 nga drejtuesit e pushtetit lokal sovjetik, në një moment kur po dilte nga kisha. Disa ditë më vonë u pushkatua pa u gjykuar. Në lajmërimin për vdekjen e tij, këshilli i kishës ruse, që u zhvillua në atë kohë në Moskë, e shkruajti emrin e tij në listën e martirëve të parë dhe dëshmuesve të besimit.
Edhe gjatë periudhës së rregjimit komunist, fëmijët e tij shpirtërorë dhe një numër besimtarësh të qytetit të Noginskut vazhduan të shkonin pa pushim për t’u lutur në varrin e tij, duke treguar njëkohësisht nderimin që populli i Perëndisë i ka bërë këtij martiri të besimit.