EmailFacebookKontakt

Kanë thënë për Kreshmën

Shën Vasili i Madh:
“Të jesh i gëzuar dhe i lumtur, sepse nga mjeku t’u dha një ilaç që zhduk mëkatin”. Ashtu si krimbat në zorrët e fëmijëve zhduken me ca ilaçe të hidhura, me të njëjtën mënyrë kreshma e vërtetë e vret mëkatin, që fshihet në brendësi. “Lyej kokën tënde dhe laj fytyrën tënde”. Mos e ndrysho fytyrën siç bëjnë hipokritët. Ai që je, i tillë të dukesh. Mos ndrysho pamje, që të dukesh i vrerët, me qëllim që të fitosh emër të mirë, duke dhënë përshtypjen se kreshmon.”

Shën Joan Gojarti:
“Kreshmë e vërtetë është kur distancohemi nga të këqiat. Qëndrimi larg ushqimit ka si qëllim të frenojë forcën e trupit dhe të largojë çdo mëkat. Ai që kreshmon vërtet duhet të jetë i butë, i qetë, i përulur, bujar dhe i dhembshur. Të dëbojë nga shpirti çdo ligësi ndaj njeriut që ka pranë. Më mirë të bëjmë kreshmë dëshirash të liga, se sa kreshmë ushqimesh. Mos bëjmë asgjë që ka për qëllim lëvdimin e njerëzve. Kjo është kreshma e vërtetë”.

Shën Joan Sinaiti:
“Eshtë një përpjekje që bën njeriu kundër natyrës së tij për të patur uri dhe etje. Eshtë një shpatë që pret grykën dhe pengon gjellët e ëmbla e të shijshme. Eshtë një bar që shuan çdo zjarr dhe epsh trupor, që largon nga shpirti mendime të liga dhe e çliron atë nga ëndrrat e pështira dhe fantazitë e molepsura. E bën të ndjehet i qetë në lutje, të ndriçohet nga Perëndia dhe të ruajë mendjen. T’i mbajë sytë hapur dhe të jetë i dërrmuar, të psherëtijë dhe të qajë me lot e përulësi. Të ndërpresë fjalët e tepërta, të qetësohet në heshtje, të shmangë të ngrënët e tepërt, që të mbajë trupin të shëndetshëm, sepse kreshma është nëna e shëndetit. Ajo sjell pastërti, dëbon mëkatet dhe hap portën e Parajsës, nga ku u dëbua Adami, i cili nuk kreshmoi”.