EmailFacebookKontakt

Kampingje me rininë orthodhokse të Korçës

Rinia orthodhokse e qytetit të Korçës organizoi dy kampe 10-ditore, nga 16 – 26 gusht. Në Voskopojë, në Manastirin e Shën Joan Prodhromit, u organizua kampingu i djemve, ku merrnin pjesë 30 të rinj, ndërsa në Vithkuq, në malin e Profetit Ilia, u organizua kampi i vajzave, ku merrnin pjesë 25 vajza të mbledhura këtu nga Korça, Maliqi, Çifliku, Vithkuqi etj.

Këto vajza i dhanë jetë e gjallëri kishës së vogël të Shën Ilias. At shpirtëror i kampit ishte At Joan Trebicka, ndërsa drejtuesje, studentja e sapodiplomuar e Akademisë Teologjike Joana Çuti. 10 ditë jetë vetëm me natyrën e Perëndisë, në ajrin e pastër të malit, nën hijen e pemëve të larta të pyllit, na lartësuan shumë shpirtërisht duke ndjerë gjithmonë pranë nesh Perëndinë. Programi i kampit ishte i larmishëm. Çdo ditë kryheshin rregullisht shërbesat kishtare si mëngjesore, mbrëmësore, pasdarkë. Vlen të përmendet, se çdo natë vajzat bashkë me shërbesën e pasdarkës, lexonin dhe përshëndetjet e së Tërëshenjtës.

Aktivitet tjetër i veçantë, ishte edhe puna e dorës. Vajzat mësuan të thurrin komboskine, kryqe me rruaza, të qëndisin meshanik etj. Mjaft e këndshme ishte ora e katekizmit si dhe ajo e mësimit të këngëve kishtare, ndër të cilat kënga: “Kishëza” u zgjodh nga vajzat si himni i kampit. Çdo natë rreth zjarrit dëgjonin At Joanin që tregonte jetë shenjtorësh, apo fliste për tema të ndryshme

Edhe ekskursionet ishin të shumta. Vizituam Manastirin e Shën Petrit e Pavlit, ku kënduam edhe Paraklisin e Shën Marisë. Gjithashtu, u falëm edhe nëpër kisha e paraklise të vogla si ajo e Shën Nikollës, e Kryeengjëllit Mihail etj.

Rozana Baba