EmailFacebookKontakt

Kamping rinor orthodhoks në Shën Kozma

Pas shumë përpjekjesh, me bekimin e Kryepiskopit dhe me bashkëpunimin e shumë vetëve, u bë i mundur realizimi i kampingut të parë rinor të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Vendi i tij Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas të Myzeqesë, gjysmë ore larg Fierit, qendër e rëndësishme shpirtërore për gjithë orthodhoksët e Shqipërisë. Qëllimi ishte realizimi i jetës kristiane të përbashkët sipas Ungjillit, duke pasur si përkujdesje të parë pjesëmarrjen në shërbesat, të dytën, në katekizëm, të tretën, punën dhe të katërtën bashkëpunimin midis studentëve.

Kampingu u hap me 24 korrik dhe përfundoi me 5 gusht. U mblodhën në të 37 studentë shqiptarë, si dhe 13 studentë grekë. Studentët grekë, të njohur nga që kishin ardhur shumë herë për të ndihmuar Kishën tonë, ishin të ftuar të rinisë studentore të KOASH-it, sepse ata kishin përvojë të madhe për kampingjet. Gjithashtu, ata ftuan po atë numër studentësh shqiptarë në kampingun e tyre, gjë që u realizua nga mesi i gushtit.

Kampingun e nderoi vizita e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, i cili vizitoi të gjitha çadrat dhe çdo pjesë të kampingut dhe gjithashtu kujtoi çastet që kishte jetuar në rini në kampingje të tilla.

Instalimet qenë të thjeshta, praktike dhe të përkohshme. Vetë kampistët vendosën ditën e parë 12 çadra dhe aty qëndruan të ndarë në katër grupe.

Programi i çdo dite niste në orën 7 të mëngjesit, me shërbesën e Mëngjesores ose me Liturgjinë Hyjnore (zakonisht çdo dy ditë). Më pas hahej mëngjesi dhe pastaj niste puna. Një grup gjatë kohës së punës shkonte në plazh. Pas ngrënies së drekës kishte çlodhje dhe pasdite një tjetër grup shkonte për katekizëm në fshatrat përreth, ndërkohë që të tjerët bënin lojra të ndryshme. Në bashkëpunim me priftërinjtë dhe epitropët e kishave u bë katekizëm në fshatrat Libofshë, Agim, Ndërnenas, Rreth, Vanaj, Havaleas dhe Metaj. Pjesëmarrja e banorëve qe e madhe, gjë që dëshmonte për punën shpirtërore të kryer nga priftërinjtë nëpër fshatrat e tyre. Një pasdite u bë një ekskursion në manastiret e vjetra të Apollonisë dhe të Ardenicës. Në orën 20 bëhej Mbrëmësorja dhe më pas darka dhe shërbesa e pasdarkës. Vonë zakonisht bënim shfaqje me diapozitiva ose shfaqje argëtuese që i bënin vetë studentët.

Shpirti i bashkëpunimit me dashurinë e Krishtit mbizotëronte në të gjitha aktivitetet e studentëve. Të gjithë patën si kujtim të paharruar mbrëmjen e fundit, kur u mblodhën rreth zjarrit, bisedën e bukur, skeçet, përshëndetjet e ndarjes, me shpresën që vitin e ardhshëm do përsëriten e shtuar veprimtari të tilla.