Me bekimin Kryepiskopit Anastas, në datat 17-23 korrik u zhvillua kampi i parë veror për vajza “RILINDJA”, në ambientet e manastirit të Shën Vlashit, pranë Durrësit. Për shkak të pandemisë, pati një shkëputje trevjeçare të kësaj tradite të bukur.
Në kamp morën pjesë 65 vajza të moshave 11-13 vjeç, nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë.
Për pjesën më të madhe të vajzave, ishte hera e parë që merrnin pjesë në një organizim të tillë. Në programin e kampit synohej shoqërizim më Krishtin dhe ecje sipas udhës së Tij.
Programi ditor ishte i larmishëm. Çdo ditë e nisëm me lutje dhe lavdërim ndaj Perëndisë, me Shërbesën e Mëngjesit. Programi vijonte me Studimin Biblik, punëdore, gatim e lojëra. Pasdite vajzat kishin kohë të lirë për veprimtari të ndryshme sipas dëshirës, si lojëra tavoline, përgatitje për skeçe, shfaqje talentesh etj.
Secili grup mbante emrin e një shenjtoreje, dhe përqendroheshin në jetën, shembullin dhe mësimet e saj. Gjithashtu, duke pasur parasysh moshën e vajzave, stafi kishte komunikim të shpeshtë me prindërit e tyre. Krahas stafit përgjegjës të Zyrës së Fëmijëve, për mbarëvajtjen e kampit ndihmuan edhe të rinj vullnetarë, që kanë mbaruar Akademinë Teologjike apo janë rritur në besim në grupet e katekizmit.
Tema e Kampit për këtë vit ishte “Mësoni nga Unë!” (Mt. 11:29) dhe pati disa tema të veçanta, ku referuan Hirësi Asti dhe Nathan Hope.
Kordinatorja e Kampit I për vajza
Kristina Mihali