EmailFacebookKontakt

Kampi II – Aty ku janë dy ose tre në emrin tim, aty jam edhe unë

Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses”, Zvërnec

Kampi II – “Aty ku janë dy ose tre në emrin tim,
aty jam edhe unë”

Në datat 9 – 19 korrik u zhvillua kampi i dytë “Rilindja”, në të cilin morën pjesë 90 të rinj të moshave 14 deri në 17 vjeç. Ashtu si të tjerët, ky kamp u realizua me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Sipërmarrësit ishin pedagogët dhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit. Në këtë kamp morën pjesë 90 të rinj që vinin pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Tema kryesore e kampit ishte: “Krishti, Drita e Botës”. Të rinjtë u mblodhën për të kaluar 10 ditë ndryshe nga jeta e tyre e përditshme: me lutje, përkushtim, disiplinë dhe, mbi të gjitha, shijuan jetën në bashkësi, që është misioni i Kishës dhe dëshira e vetë Zotit, sepse Ai tha: “Aty ku janë dy ose tre në emrin tim, aty jam edhe unë” (Mt. 18: 20).

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit kampi i dytë solli një risi në programin e tij. Temat dhe referatet u zhvilluan në 4 grupe që emërtoheshin: “Grupi i Shën Joan Theologut”, ku u diskutuan kryesisht tema shpirtërore, “Grupi i Shën Joan Gojartit” ku u mbajtën tema sociale me interes për të rinjtë, “Grupi i Shën Joan Kukuzelit”, ku të rinjtë mësuan të psalnin e t’i këndonin Perëndisë me zërat e tyre engjëllorë, si dhe u njohën me teologjinë e himneve dhe mënyrën sesi Kisha e bëri të sajën muzikën bizantine. Dhe grupi i katërt ishte ai i “Nazaretit” ku të rinjtë mësuan rreth artit kishtar dhe punës së dorës. Ata praktikuan bërjen e ikonave me duart e tyre, të komboskinëve, kryqeve, si dhe u njohën me rëndësinë që kanë ato në jetën e besimtarit orthodhoks.

Gjithashtu këtij kampi nuk i munguan as lojërat dhe aktivitetet sportive. Të tilla ishin kampionati i futbollit, lojërat olimpike buzë detit, kampionatet e ndryshme të shahut, ping-pongut etj. Jeta në bashkësi që ka në qendër të saj Perëndinë, i Cili është dhënësi i çdo të mire, kaloi edhe në këtë kamp me paqe e dashuri.

Niko Kodheli