Me bekimin e Fortlumturisë së tij, Imzot Joanit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizoi për të 11-in vit Kampin Familjar, të dretjuar nga Zyra e Fëmijëve pranë Kryepiskopatës. Ai u zhvillua nga data 3-7 shtator 2025, në ambientet e bukura të Tushemishtit, pranë liqenit të Ohrit, Pogradec, me pjesëmarrje të gjerë të familjeve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si Tirana, Kavaja, Lezha, Elbasani, Lushnja dhe Korça. Kampi mblodhi së bashku 130 pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme: fëmijë, adoleshentë, prindër dhe gjyshër, duke u kthyer kështu në një përvojë të rrallë bashkimi, ndërtimi shpirtëror dhe përjetimi i jetës së komunitetit të krishterë, në frymën e një familjeje të madhe. Tema e kampit e shkëputur nga Libri i Jonait 2:10: “Shpëtimi vjen nga Zoti”, theksoi të vërtetën se largimi nga Perëndia na çon në stuhi dhe errësirë dhe se Zoti ynë është Perëndi i mëshirshëm dhe dëshiron shpëtimin e të gjithëve.
Studimet e përditshme biblike ndihmuan në thellimin mbi librin e Jonait, duke reflektuar mbi thirrjen, bindjen, mëshirën dhe fuqinë shpëtuese të Perëndisë. Po ashtu edhe Olimpiada Biblike, si pjesë e programit, nxiti fëmijët dhe të rriturit të tregojnë njohuritë e fituara gjatë studimit të librit të Jonait. Shërbesat e përditshme të adhurimit u kulmuan të shtunën në kishën e re të Ngjalljes së Krishtit dhe të dielën me Liturgjinë Hyjnore në kishën historike të Fjetjes së Hyjlindëses në Pogradec. Kampi në programin e tij përfshinte: lojëra tavoline dhe ato në natyrë, miqësi të reja, vizitë në Manastirin e Shën Naumit, Ohër, duke e bërë këtë një përvojë të paharruar. Lavdërojmë Perëndinë për bekimet e Tij të shumta!
Kristina Mihali
Katekiste në Zyrën e Fëmijëve, Tiranë