EmailFacebookKontakt

Kampet verore ditore

Muajt e verës u shoqëruan edhe me programin e kampeve ditore, të cilat u organizuan në shumë zona të vendit tonë.

Me bekimin e Kryepiskopit Joan, në Tiranë u zhvilluan 4 kampe ditore, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në të cilin ndihmuan edhe grupi i adoleshentëve, te kisha e Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës, te kisha e Shën Nikollës, Kavajë, si dhe te shkolla “Protagonistët” në Tiranë, ku morën pjesë rreth 200 fëmijë. Këtë vit, tema e kampit ishte “Jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë” (1 Petr. 1:16).

Kampistët u njohën me jetën e shenjtorëve, mësuan këngë kishtare, u angazhuan në punëdore, lojëra, drama dhe aktivitete krijuese që i ndihmuan të rriten jo vetëm në dije, por edhe në dashuri për Zotin.

Gjithashtu, kampe ditore u zhvilluan edhe në Mitropolinë e Korçës, me të njëjtën tematikë dhe program.

Me bekimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së Tij, imzot Nikolla, u zhvillua kampi ditor me temë: “Të njohim Shkrimin e Shenjtë”. Kampi u zhvillua në 8 qendrat e katekizmit të kësaj zone. Ai u kurorëzua me pagëzimin e 12 personave, të cilët ishin katekizuar përgjatë këtij viti.

Në Mitropolinë e Elbasanit, me bekimin e Mitropolitit Andon, u zhvilluan 8 kampe ditore verore, me pjesëmarrjen e 400 fëmijëve dhe adoleshentëve. Ata mësuan rreth festave zotërore. Progami përmbante lojëra, këngë, punë në grup, dhe aktivitete plot energji, që e zbukuronin atë. Me përkushtim, 9 katekistë drejtuan kampet, ndërsa të rinjtë dhe adoleshentët e katekizmit dhanë një shembull shërbimi dhe bashkëpunimi.