…Në datën 24 mars 1994, në vigjiljen e së kremtes të Ungjillëzimit, që është dhe dita e emrit dhe panairit të Katedrales, u përurua, me pjesëmarrjen dhe bekimin e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit tonë dhe të një shumice besimtarësh orthodhoksë, kambanorja e saj, e rikonstruktuar plotësisht dhe e pajisur me pesë kambana të reja, të cilat, me tingullin e tyre melodioz e në disa variante, do t’u bëjnë të njohur besimtarëve Orthodhoksë të komunitetit tonë kohën e zhvillimit të shërbesave të shenjta fetare.
Me këtë rast, po japim më poshtë disa të dhëna për rolin e kambanave dhe të kambanores në Kishën Orthodhokse. Kambana është një instrument i bërë nga një aliazh metalik tingëllues. Si shpikës i kambanës konsiderohet Paulin de la Nola nga Kampania, Itali, i cili ka jetuar rreth viteve 400 pas Krishtit. Emrin kambanë instrumenti e ka marrë nga emri i krahinës. Përdorimi i kambanave në Kishën Orthodhokse fillon nga viti 842 pas Krishtit e këtej, vit kur doxhi i Venedikut Ursus Patricianus i dërgoi si dhuratë perandorit të Bizantit, Mihailit III, disa kambana.
Me rënien e kambanave lajmërohen të krishterët për fillimin e shërbesave të ndryshme fetare në Kishë, siç janë: Shërbesa e Mbrëmjes, e Mëngjesit dhe e Liturgjisë Hyjnore, si edhe për disa nga momentet më të rëndësishme të zhvillimit të tyre. Gjithashtu, me rënien e kambanave ata lajmërohen edhe kur ndërron jetë ndonjë nga pjesëtarët e Komunitetit. Kambanat vendosen zakonisht në një ndërtesë të lartë në formë pirgu, të ngritur ose veças, ose mbi trupin e Kishës, po gjithnjë nga ana perëndimore e saj, nga ana e hyrjes.
Në Shqipëri, të gjitha kishat dhe manastiret kanë pasur kambana dhe kambanore, nga më të thjeshtat gjer në më të bukurat nga ana arkitektonike dhe nga ana e vjetërsisë, që përbënin, së bashku me ikonostaset, ikonat, amvonet e pajisjet e tjera kishtare, një thesar të paçmuar shpirtëror kulturor dhe kombëtar të Orthodhoksisë sonë 20-shekullore.
Para përdorimit të kambanave në Kishë përdorej tak-taku. Tak-taku ishte një copë dërrasë druri e staxhionuar mirë, e gjatë rreth dy metra dhe e gjerë 20 cm, e varur në një gozhdë me anë të një cope litari, të kaluar nëpër dy vrima të hapura enkas në qendër të dërrasës. I binin me një ose dy çekanë druri. Më vonë tak-taku u bë prej hekuri, po në formë më të vogël. Tak-taku përdoret edhe sot nëpër manastiret e sidomos në Malin e Shenjtë.
Në Komunitetin Orthodhoks të Tiranës, tak-taku është përdorur gjer tani vonë. Në Kishën e vjetër të Shën Prokopit është përdorur gjer në vitin 1938, kur ajo, me vendimin Nr. 11, datë 11 shkurt 1937 të Komisionit rregullues të Tiranës së re, u prish. Edhe në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, të ndërtuar më 1874, nuk ka pasur kambana dhe përdorej tak-taku prej hekuri. Kjo ndodhte, sepse që kur atdheu ynë u pushtua nga Perandoria Osmane, qe e ndaluar rënia e kambanave dhe ngritja e kambanoreve. Lejohej vetëm me vendim sulltanor dhe në rastet kur ndërhynin pranë Portës së Lartë ndonjëra nga fuqitë e mëdha të kohës, si Austro-Hungaria apo Rusia Cariste, që kishin nën mbrojtje të krishterët e Ballkanit në Perandorinë Osmane.
Kambana e parë në Kishën e Ungjillëzimit të Tiranës është vendosur më 1902, pas një incidenti që kishte ndodhur në 25.12.1901, kur një muezin fanatik tiranas shtiu me armë nga minarja e xhamisë, që ishte në vendin ku sot ndodhet ndërtesa e Muzeut Kombëtar, kundër të riut orthodhoks Kol Roçit, që po i binte tak-takut. Kambana u vendos me ndërhyrjen e Konsullatës Ruse në Shkodër dhe të Ambasadës Ruse në Stamboll si dhuratë e Kishës Orthodhokse Ruse. Më vonë, dhe pikërisht më 24.3.1944, pranë Kishës së Ungjillëzimit u përfundua së ndërtuari me shpenzimet e një gruaje shpresëtare orthodhokse tiranase dhe u përurua një kambanore e re, ku u vendosën, veç kambanës dhuratë të Kishës Ruse, edhe dy kambana të reja të sjella nga Italia, po me shpenzimet e bamirëses Maria Niça. Në vitin 1941 u ngrit dhe u përurua (6 prill 1941) kisha e re e Shën Prokopit. Në projektin e bërë prej arkitektit tonë të shquar e shpresëtar, të ndjerit ing. Skënder Luarasit, qe parashikuar të ndërtohej dhe një kambanore e veçantë. Po nuk arriti të ndërtohej, për shkak të rrethanave të luftës. Në vend të saj u bë një kambanore prej druri, ku u vendos një nga kambanat e kishës së Ungjillëzimit.
Në vitin 1963 u vendos në mënyrë arbitrare nga regjimi ateist-komunist i kohës, të prishej edhe Kisha e Ungjillëzimit, e cila ishte në qendër të Tiranës, aty pikërisht ku ndodhet hoteli “Tirana”, dhe që u vriste sytë atyre, e të ndërtohej një kishë tjetër, larg qendrës. Ndërtimi u krye më 1964 dhe Kisha u përurua më 21 mars 1965. Pranë Kishës, sipas projektit të bërë po nga arkitekti i sipërpërmendur, u ndërtua dhe kambanorja, e thjeshtë po e bukur, ku u vendosën kambanat.
Mirëpo, ja që erdhi dita e zezë e 6 shkurtit 1967, dita e shpalljes së hapur të luftës kundër institucioneve tona fetare, kundër arkitekturës, artit dhe kulturës tonë tradicionale më me vlerë. U mbyll dhe Kisha Katedrale e Tiranës. U morën ikonat, epitafet, kodikët, arkivi, kambanat, gjithçka me vlerë. Kisha u transformua në palestër sportive. Kambanorja u deformua, Kisha e bukur e Shën Prokopit qe prishur që në vitin 1960, e transformuar në restorant.
Por, pas së premtes së zezë, pason Ngjallja. Dhe Ngjallja erdhi. Regjimi ateist-komunist u përmbys. U vendos demokracia. Kisha Katedrale u rimor dhe u rikonstruktua dhe kambanorja e saj. Dhe u pajis, jo më me tri, po me pesë kambana, që do të vazhdojnë të përhapin përsëri fuqishëm me zërin e tyre të ëmbël dhe harmonik, mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të vëllazërimit midis njerëzve, që predikon dhe do t’i predikojë në jetë të jetëve Kisha jonë.
Dh. B.
Botuar në gazetën “Ngjallja”, prill 1994