EmailFacebookKontakt

Justini Filozof dhe Martir (1 Qershor)

Mbi Shenjtorët e Qershorit

Justini Filozof dhe Martir (1 Qershor)

Ishte me origjinë greke, bir i Priskut dhe nipi i Vakhiut. Lindi rreth vitit 110 pas Krishtit, në Neapolin Flavian, d.m.th në Siqemin e lashtë të Palestinës. Kaloi nga filozofitë Stoike, Shëtitëse, ajo e Pitagorës dhe tek Platoni. Të gjitha ato e zhgënjyen frymën e tij kërkuese, derisa rreth vitit 135, ndoshta në Athinë, ndërsa po filozofonte i vetëm në breg të detit, takoi një të moshuar misterioz. Pasi bashkëbiseduan, ai i propozoi të lexonte Shkrimin e Shenjtë dhe u zhduk.

Justini, deri atëherë idhujtar, u bë pasonjës i nxehtë i Krishterimit, “i filozofisë së vetme të sigurt dhe të dobishme”, siç shprehej ai vetë më pas. Shpejt hapi në Romë shkollën e parë të krishtere të njohur orthodhokse pasapostolike. Po ligësia e profesorëve filozofë vuri në lëvizje makinacione, të cilat pengonin funksionimin e saj. Rreth vitit 160 u largua nga Roma, për arsye të rreziqeve, por më vonë rikthehet.

Rreth vitit 165, duke u konsideruar si i rrezikshëm për idhujtarinë, e dënuan me prerje të kokës, së bashku me nxënësit e tij Haritonin, virgjëreshën Harito, Evelpiston, një skllav i Qezarit, Jeraksin, Peon dhe Valerianin ose Liverianin sipas sinaksarit (të cilët festohen gjithashtu në 1 Qershor).

Nga 15 dispencat e tij origjinale, jo shumë letrare nga forma, por të bollshme në ide, zell dhe spontanitet, kanë shpëtuar vetëm tre: “Dialogu me Trifonin”, që ishte transkriptim i një bisede dyditore, ndoshta në Athinë, rreth vitit 136 (ka mundësi, që biseda të mos ishte reale, por paraqitet si e tillë); “Apologjia e parë” dhe “Apologjia e dytë” e Shenjtorit ndaj perandorit dhe pushtetarëve të Romës, të shkruara atje rreth viteve 150 – 160, të cilat hidhnin poshtë shpifiet kundër të krishterëve. Në apologjinë e parë ekspozohen për herë të parë misteret e Pagëzimit dhe Eukarestisë.

Gjithashtu, ai ka qenë ndoshta himnografi i parë sistematik dhe koordinator i adhurimit të përbashkët, d.m.th. të shërbesave, përderisa shkroi një libër me titullin “Psalti”.

Ky apologeti i dha kryesisht mjetet e Krishterimit për të fituar Heleno – romanizimin por edhe për të shfrytëzuar mendimin e tij. Besonte se edhe jo të krishterët zotëronin elementë të frymëzimit Hyjnor, Fjalën e Farëshme. Kështu, të virtytshmit përpara Krishtit, si filozofi Sokrat dhe Abrahami (9 tetor) kanë qenë të krishterë!

At Justini