EmailFacebookKontakt

“Ju jeni miqtë e mi” (Jn. 15:14) – Zhvillohen me sukses kampet e para dhe të dyta kombëtare për djem dhe vajza

Me bekimin dhe mbështetjen shpirtërore dhe financiare të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit edhe Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, u zhvilluan nën kujdesin e Mitropolitit të Fierit, Hirësi Nikolla, në datat 4-11 Korrik kampet për fëmijë të grupmoshave 10-13 vjeç. Kampi i vajzave u zhvillua, sipas traditës, në manastirin e hirshëm të Shën Joan Vladimirit në fshatin Shijon të Elbasanit, ndërsa ai i djemve në manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në ishullin e Zvërnecit, pranë Vlorës.

Ditët e kampit do të mbeten të paharruara për fëmijët, të cilët përjetuan momente që do mbeten gjatë në memorien e tyre si lutjet, lojërat, temat e bukura shpirtërore, kampionatet, miqësitë, koha që kaluan me njëri-tjetrin etj.

Jeta në kamp është një model i shkëlqyer i një jete të krishterë me Zotin, e cila i jep kuptim dhe gëzim ekzistencës sonë dhe bëhet edhe frymëzim për ta përçuar atë në vendet ku jetojnë.

Një mirënjohje e madhe i dedikohet edhe prindërve që ua besojnë fëmijët e tyre Kishës së Shenjtë, që tregon aq dashuri dhe përkushtim ndaj tyre, si edhe të gjithë atyre klerikëve, teologëve, katekistëve dhe vullnetarëve që me vetëmohim dhe sakrificë ofruan shembullin më të mirë në përkujdesjen e fëmijëve.

Në datën 15 korrik, po në të njëjtat vende, nisën edhe kampet e dyta, të grupmoshës 14-17 vjeç. Edhe ky kamp synon afrimin e të rinjve me Perëndinë dhe Kishën e Tij, edukimin me vlerat e krishtera dhe modelin e një jete të krishterë në përditshmëri, me lutje, punë të ndryshme dhe atmosferë miqësore. Këtë vit, tema e kampit ishte “Ju jeni miqtë e mi” (Jn 15:14) dhe programi ishte i strukturuar për të promovuar vlerat e një miqësie të vërtetë me në qendër Krishtin.

Anastas Moçi