EmailFacebookKontakt

Joan Theologu (26 shtator)

Ishte i biri i Zevedheut dhe i shën Salomes Miroprurëse (3 gusht), dhe siç duket, vëlla më i vogël i apostull Jakovit (30 prill). Krishti “duke ecur në bregdetin e Galilesë” i ftoi që të dy ta ndiqnin, gjë të cilën e bënë menjëherë, duke lënë anijen e peshkimit me babain, punëtorët e tyre e rrjetat (Mark. 1.16-20 etj). Zoti i quajti “Voanergjes” d.m.th. bij të bubullimës (Mark. 3.17), dëshmitarë bubulluas të doktrinës dhe të mrekullive të Tij. Së bashku me apostull Petron (29 qershor) përbëjnë rrethin e ngushtë dhe të dashur të Jisuit, i cili i fut në zbulesat më të larta dhe i ka vazhdimisht pranë, ashtu si në ngjalljen e bijës së Jaeriut (Lluk. 8.51-56 etj), në Gjethsimani (Matth. 26.37-46 etj) dhe sidomos tek Metamorfoza (Shpërfytyrimi) (Mark. 9.2-9 etj). Që të dy ankohen për hir të Mësonjësit dhe duan që të bjerë zjarr mbi samaritanët mosmikpritësa. Por Shëptimtari iu përgjigjet se “nuk erdhi që të humbë shpirtra njerëzish, por që të shëtojë” (Lluk. 9.52-65). Një herë tjetër kërkojnë vendet e para dhe dëgjojnë se Ai nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë, dhe për pasojë kushdo që do të bëhet i madh le të jetë shërbëtor i të tjerëve (Mark. 10.35-45). Jakovi u martirizua me ushtë në Jerusalem, ndoshta në vitin 44, pas vendimit të Irodh Agripës (Vepr. 12.1-2) dhe kështu “piu” dhe ai kupën e pësimit, ashtu siç e kishte paralajmëruar Shëptimtari ndërsa shkonte drejt pësimit të Tij (Mark. 10.38-39 etj). Joani, “shtyllë e Kishës” (Gal. 2.9), në Ungjillin e tij tepër shpirtëror – i cili plotëson të tjerët duke shfaqur kryesisht doktrinën e Shëptimtarit – vetëmbulohet nën shprehjet “nxënësi tjetër” (18.15 etj) ose “të cilin Jisui e donte” (13.23 etj). Më përpara kishte shumë mundësi të kishte qenë nxënës i Pararendësit (7 janar). Në Darkën Mistike ra në gjoks të Jisuit, ndërsa më pas ndoqi “gjyqin” e Tij. Shëptimtari dorëzoi mbi kryq nënën e tij natyrore Virgjëreshën, te biri i Tij shpirtëror Joani i virgjër, i vetmi nga të gjithë apostujt që u ndodh gjatë kryqëzimit… Besoi menjëherë në Ngjalljen kur vrapoi më shpejt se apostull Petroja (29 qershor) te varri i zbrazur! Njohu i pari të Ngjallurin, që qëndronte në breg të detit. Për të Perëndinjeriu tha në mënyrë enigmatike “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë…” (Joan. 21.22). Mbas mrekullisë së Petros arrestohet së bashku me të dhe kërcënohet. Dikur të dy këta u dërguan në Samari për të transmetuar Frymën e Shenjtë. Joani më vonë veproi në Azinë e Vogël dhe u internua në ishullin e Patmos rreth vitit 95. Në moshë mbi njëqindvjeçare ku sipas traditës transportohej në krahë, nxitte: “Vogëlushë, ta doni njëri – tjetrin”. Fjeti në Efes më 105-106, u varros, por më vonë lipsani nuk u gjend. Më 8 maj çdo vit dilte nga varri i tij një pluhur çudibërës shërues, që e quajtën “mana”. Tri Letrat e Përgjithshme të tij i referohen dashurisë dhe pseudomësuesve (si heretiku Kirinthos), kurse Apokalipsi i tij kryeveper por i vështër për t’u shpjeguar profetizon veçanërisht Shfaqjen e Dytë. Sipas sinaksarit i shoqëruar nga nxënësi i tij, dhjak Prohori (28 korrik) bëri shumë mrekullira, si rrëzimi i tempullit të Artemidës së Efesit, ngjallje të vdekurish, pendime kusari, gruaje me sjellje të keqe etj. Dalja dhe “vjelja” e “manës” festohet më 8 maj.

At Justini