Lavdërimi i tij është dëshmia e Krishtit: Më i madhi ndër të lindurit prej grave! Atë e prezantojnë Ungjijtë: Matt. kap. 3, 11, 14, 16, 17, 21; Mark. 1, 6, 8, 11, 12; Luk. 1, 3, 7, 9, 20; Joan 1, 3. E lindën në moshë të thyer Zaharia dhe Elisaveta. Zaharia ishte prift, kurse sipas të tjerëve kryeprift. Ndërsa ishte duke bërë me thimjamë tempullin i shfaqet Kryeengjëlli Gavriil, duke i thënë se lutja e tij ishte dëgjuar dhe se e shoqja që ishte madje edhe shterpë do të lindte Joanin, Pararendësin e Krishtit! Ai nuk besoi; kërkoi një mrekulli që të bindej. Dhe ajo iu dha: humbi të folurit dhe të dëgjuarit deri në rrethprerjen e foshnjës! Dhe vërtet, kur lindi foshnja ai shkroi në një tabelë: “Joan është emri i tij” (Të njëjtën gjë kishte thënë edhe Elisaveta!). Menjëherë u shërua dhe lavdëroi të Lartin dhe profetizoi për Pagëzorin me himn madhështor i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë. Ky himn u cilësua si profesia e fundit e Dhiatës së Vjetër dhe e para e Dhiatës së Re.
Joani është profeti i fundit dhe më i madhi, se jo vetëm parathaj ardhjen e Shpëtimtarit mbarëbotëror dhe ndëshkuesit të njerëzve të ligj, qoftë dhe të hebrenjve, por edhe iu fal Atij qysh kur që të dy ishin ende në embrion. E tregoi si Shpërblyesin, kështu që pasuesit e tij e ndoqën si apostuj; me gjithë kundërshtimet e tij, E pagëzoi, dhe u shfaq Trinia e Shenjtë.
U profetizua si Ilia i dytë dhe paralajmëtar i Mesias (Mal. 4, 4-5; 3,1). Model i murgjëve, doli në shkretëtirën e lumit Jordan. Vishte rroba qimesh, ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër. Ai veproi publikisht prej vitit 29 pas Krishtit si “një zë që buçet në shkretëtirë: përgatisni rrugën Zotit” (Isaia 40,3). Predikonte pendesën dhe pagëzonte turmat e njerëzve që shkonin tek ai, duke i parapërgatitur ata për pagëzimin e përkryer kristian. Gjithashtu ai kontrollonte edhe mëkatin e vetë mbretit Herod, d.m.th bashkëjetesën e tij me Herodiadën, që e kishte farefis, prandaj dhe ai e burgosi. Faji i dytë i herodit ishte se: i kënaqur pa masë gjatë ditëlindjes së tij nga kërcimi i Salomesë së pacipë, vajzës së Herodiadës, ai iu betua se do t’i jipte gjithçka. Dhe ajo e instruktuar nga e ëma i kërkoi kokën e Pagëzorit në pjatë. Faji i tretë: Për hir të betimit që kishte bërë i preu kokën në vitin 32, edhe pse i erdhi keq ngaqë më parë e dëgjonte me kënaqësi…
Në mënyrë të gabuar disa e përmendin ndërmjet Esenjve, heretikëve izraelitë. Respektohej së tepërmi edhe nga hebrenjtë jashtë Palestinës, që kur ishte gjallë. Joan do të thotë dhuratë ose dhembshuri e Perëndisë. Të kremte të tjera të tij: Syllepsis – më 23 shtator, Lindja më 24 qershor, Prerja e kokës më 29 gusht, Gjetja e parë dhe e dytë e kokës më 24 shkurt dhe Gjetja e tretë më 25 maj. Ndërsa dora e tij e djathtë pasuron Manastirin e Shën Dhionisit në Malin e Shenjtë.
At Ju.