Në datën 1 tetor 2021, në ditën kur kremtohet shën Joan Kukuzeli, u zhvillua një veprimtari kushtuar figurës së tij dhe trashëgimisë jomateriale të muzikës bizantine në hapësirën shqiptare. Kjo e kremte përkoi dhe u ndërthur edhe me Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Veprimtaria u organizua nga Akademia e të Rinjve dhe Komisioni i Përhershëm i Artit dhe i Trashëgimisë Kulturore i Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Veprimtaria u hap në prani të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. dr. Skënder Gjinushi dhe të Hirësi Nathanailit, Mitropolit i Amantias, përfaqësues i Kishës sonë, i cili ka qenë murg në të njëjtin manastir të Malit të Shenjtë ku ka qëndruar shenjtori, në atë të Lavrës së Madhe. Morën pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës znj. Meri Kumbe, e cila ishte njëkohësisht edhe folëse, si dhe përfaqësues të institucioneve shkencore e kulturore të vendit.
Veprimtaria u moderua nga Andrea Rëmbeci, Bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve, i cili u dha fjalën folësve, duke u ndalur edhe në rëndësinë e trashëgimisë bizantine në kulturën tonë.
I pari foli akademiku z. Vasil S. Tole, Zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, i cili tha se vendi ynë dhe muzika jonë është me fat që ka një pararendës kaq të shquar si Kukuzeli, për të cilin sot mbahet meshë në të gjitha kishat e vendit, kontributi i të cilit në muzikën bizantine është tërësisht i njohur dhe i gjithëpranuar.
Në fjalën e tij, Theodhor Peci, drejtor i Shkollës së Muzikës Bizantine të Kishës sonë, tregoi për jetën e Joan Kukuzelit dhe “grindjet” ballkanike për përkatësinë e tij kombëtare. Ai e quajti shën Joan Kukuzelin një figurë të jashtëzakonshme, që braktisi privilegjet që i dha perandoria e Bizantit dhe jetoi si murg në Malin e Shenjtë. Joan Kukuzeli ishte mësues e krijues revolucionar i metodave të shkrimit muzikor bizantin.
Dr. Mikaela Minga e quajti muzikën bizantine një pasuri të vyer të njerëzimit dhe theksoi se arti psaltik ka lidhur qendrat shpirtërore të shqiptarëve. Ajo kujtoi lidhjet e këngëve bizantine me ato të qyteteve të Shqipërisë e sidomos me ato të Elbasanit. Gjithashtu u ndal në ndikimin e kësaj muzike në muzikën bashkëkohore shqiptare.
Zëvendësministrja e Kulturës, znj. Meri Kumbe, muzikologe që ka bërë disa studime për kodikët dhe muzikën Bizantine, falënderoi Akademinë e Shkencave për këtë aktivitet. Ajo theksoi se “muzika shpirtërore bizantine mbetet një pasuri e vyer e njerëzimit, ku historia ka dashur që vendi ynë i vogël të ketë kontributin e tij”. Më tej, studimin e kësaj muzike znj. Kumbe e lidhi me politikëbërjen në përcaktimin e identitetit tonë kulturor.
Në fund pati përshëndetje muzikore, ku kori “Joan Kukuzeli” i Katedrales psali muzikë bizantine.
Thoma Dhima