Është Mësues Ekumenik dhe “Burimi i parë” i Muzikës Bizantine. Nuk dihet me saktësi data e lindjes. U lind në Damask nga prindër greko-sirianë, rreth vitit 680 (ose 645) dhe fjeti në Manastirin e Shën Savës, në Jerusalem, në moshën 104 (ose 70) vjeçare, në vitin 784 (ose 749).
Kur i vdiq i ati, Sergji, bir i Mansurit (= i shkëlqyer), i cili ishte ministër i Kalifit, e pasoi në postin e tij, ose më saktë mori një gradë më të lartë! Perandori Leon III, që ishte ikonoklast (714-741), që ta hiqte qafe shenjtorin, i cili “bombardonte” Konstandinopojën me …traktate, të cilat demaskonin luftën kundër ikonave, falsifikoi një letër të tij dhe e dërgoi tek Kalifi. Ai i preu dorën “tradhtarit” të tij Joan. Por, ky i fundit u lut para një ikone të Hyjlindëses dhe ajo e shëroi. Kjo ikonë, “Triherusa” (= tridorëshe), ruhet në Malin e Shenjtë.
Pas kësaj, me lejen e Kalifit, që tashmë ishte penduar, u bë murg në Manastirin e Shën Savës, bashkë me shën Kozma Meloditin (14 tetor), vëllain e tij me prindër të ndryshëm, të cilin kur kishte mbetur jetim e adoptoi Sergji.
Të dy fëmijët u edukuan nga një murg melodist, prifti Kozma Kseno (= i huaji), ose Iketi (= shërbëtor), ose Asigriti (= i pakrahasueshëm – në urtësi dhe virtyt), i cili ishte marrë skllav nga atdheu i tij, Kalabria e Italisë së Jugut (ose kur ishte pelegrin në Vendet e Shenjta) dhe ishte çliruar në Damask nga Sergji, kundrejt shpërblimit. Ai u mësoi gramatikë, fdozofi, retorikë, astronomi, matematikë, muzikë kishtare dhe theologji.
Të dy vëllezërit, që nga fillimi i shek. VIII, për disa dhjetëvjeçarë murgëruan në Manastrin e Shën Savës, ku studionin, shkruanin, krijonin poezi dhe muzikë kishtare. Ata, si edhe murgu tjetër i Shën Savës, shën Andrea, më vonë episkop i Kretës (4 korrik), futën në shërbesa kanonet psaltike. Shën Kozmai u hirotonis më vonë episkop i Maiumasë (me sa duket në vitin 743).
Më parë, në fillimet e jetës monakale, jeronti i Joanit, që t’i nxiste përulësinë, e dërgoi në Damask, që të shiste atje punime artizanale të tyre me çmim shumë të lartë! Gjithashtu, i kishte ndaluar shkrimin dhe kompozimin.
Por, ndodhi që pasi i afërmi i pangushëlluar i një të vdekuri iu lut tej mase, oshënari e ngushëlloi duke kompozuar dhe duke psalur himnin e njohur “Të kota janë gjithë gjërat njerëzore”. Jeronti e dëgjoi dhe e dëboi, deri sa Joani pastroi me kënaqësi, si “kanon” dënim, banjat e manastirit me duart e veta! Shpejt e Tërëshenjta urdhëroi avain dhe ai nuk i nxori më pengesa. Më vonë u bë prift.
Kur vëllai i tij, Theodhori, u internua nga Kalifi (734), Joani shkoi në Damask dhe mori në Lavrën e tij të nipin dhjetëvjeçar, oshënar Stefanin (28 dhjetor). Derisa ndërroi jetë xhaxhai e edukoi në jetën monakale dhe në artin e poezisë (kishtare).
I shumanshëm në njohuritë dhe kompozimet e tij, shenjtori sistemoi dogmatikën sipas metodës aristoteliane dhe themeloi shkencërisht muzikën. Midis veprave të tij të shumta, pararendëse të gjithë atyre që pasuan, gjenden vepra dogmatike (p.sh. më e famshja “Burim njohjeje”, ku përfshihet edhe “Botimi [ose shfaqja] e besimit Orthodhoks”, që e hartoi pas lutjes së shën Kozmait); kundërshtare (si p.sh. 3 trajta “Për ikonat”); morale (p.sh. “Paralele hyjnore”); shpjeguese, himnografike (si p.sh. gramatikë muzike, Tetëtingullshi, shumë tropare – bazë e adhurimit); omelitë; tekste shpjeguese dhe agjiologjike.
At Justini