Më 2 shkurt në sallat e Muzeut Kombëtar ndodhi një vjedhje tepër e rëndë. – Nga fondi i mesjetës u vodh epitafi i paçmuar i Gllavenicës dhe 4 ikona të mrekullueshme “Hyrja e Shën Mërisë në Tempull” e Onufrit, shek XVI, dhe tre ikona të David Selenicasit, shek XVIII, “Hyrja e Shën Mërisë në Tempull”, “Vajtimi mbi varrin e Krishtit”, dhe “Shpërfytyrimi i Zotit tonë Iisu Krisht”.
Eshtë një krim që zuri vend në faqet e shtypit dhe emisionet televizive e radiofonike, ku u cilësua si një vjedhje ose humbje historike, por është për të ardhur keq që askush nuk përmendi se ç’ishin ato në realitet – dëshmi të pamohueshme të besimit të patundur dhe gradës së qytetërimit të komunitetit orthodhoks në Shqipëri në vitet e Mesjetës. Kështu, Epitafi ishte një dëshmi historike realizuar më 1373 me porosi të episkopit orthodhoks të Beratit Kalistit dhe e punuar nga një anëtar i familjes princërore të Arianitëve (mbase murg, siç ishte tradita).
Nga ana tjetër, për të sotmen kjo vjedhje është një humbje e pazëvendësueshme shpirtërore, sepse ato ishin objekte adhurimi e lutjeje, të marra përdhunshëm nga shteti i ateist komunist nga Kisha Orthodhokse dhe ti pakthyera ende në funksionin për të cilin u krijuan edhe nga shteti demokratik. Nuk është hera e parë që kjo trashëgimi e çmuar e besimit orthodhoks, por edhe kombëtare preket në mënyrë të paskrupullt dhe bëhet pre e vjedhjeve. Nga sa thuhet sot në depot e Institutit të Monumenteve të Kulturës ruhen rreth 2000-3000 ikona orthodhokse, në një kohë që pas prishjes së kishave shteti sekuestroi 8-10 mijë. Ku përfunduan ato?
Në të njëjtën kohë, vazhdon e bëhet veshi i shurdhër kur kërkohet kthimi i tyre nga komuniteti orthodhoks. Jo vetëm një kërkesë e ligjshme kjo, por edhe një borxh i së kaluarës ateiste që shteti i sotëm duhet t’u lajë besimtarëve për të dëshmuar vërtetësinë e deklarimeve në favor të fesë. Kush më mirë se këta besimtarë do të dinë t’i ruajnë ato, siç ruajtën edhe besimin në vitet më të vështira të sundimit otoman, kur shumica e këtyre objekteve u krijuan, apo të errësirës komuniste, kur ato u shkatërruan apo iu hoqën kishave për t’u kyçur depove?
Shteti, ka të drejtë dhe detyrë të interesohet për fatin dhe restaurimin e këtyre veprave, por është kërkesë e palëkundshme dhe domosdoshmëri që ato t’i kthehen më parë kujt i takojnë, asaj që është “pronare” e ligjshme – Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Thoma Dhima