– Vazhdim i një reportazhi –
Kremtimi më 2 gusht, nga çdo aspekt i ndritshëm, i themelimit, nga Kryepiskopi Anastas, i Kishës se re katedrale “Ngjallja e Krishtit” të Korçës, natyrisht, që përbën një kulmim në trajektoren e rrugës së ngjalljes së vërtetë që përjeton Kisha jonë Orthodhokse; pas Golgothasë aq të gjatë të përndjekjes ateiste. Veçse, si pjesëmarrja e mrekullueshme e më shumë se 15 mijë qytetarëve korçarë, si entuziazmi e gëzimi, që i shkonte përshtat një të kremteje të tillë, ashtu edhe omelia e perëndifrymëzuar e Kryepiskopit Anastas s’mund të eklipsojnë aspak shërbesat, vizitat e bisedat që Fortlumturia e Tij dhe grupi shoqërues zhvilloi në vazhdim të udhëtimit. Ato veçse plotësojnë harmonishëm njëra-tjetrën, në dhënien gjithmonë edhe më të plotë të imazhit të KOASH, të cilën Kryepiskopi nuk lë rast pa e cilësuar “Kisha e Ngjalljes”.
Ngjallje që e sheh ta jetojmë, që e përjeton edhe vetë kudo:
– Besimtarët e fshatit Malavec kësaj radhe e pritën Kryepiskopin në kishën e re të fshatit, që mban emrin e dhiakonit të parë dhe martirit të parë të Kishës, Shën Stefanit, që jo më shumë se një vit pas themelimit të saj, është e përfunduar dhe e kompletuar, gati për përurim. Besimtarët e shohin me krenari, lavdërojnë Perëndinë, janë të etur të mësojnë sa më shumë për Zotin tonë Iisu Krisht, nuk lënë rast pa shprehur mirënjohjen e thellë për Kryepiskopin Anastas, por edhe për at Stefanin nga Metropolia e Siatistës në Greqi, që jo vetëm mblodhi fondet, por u kujdes deri në detaje për përfundimin e ndërtimit të saj.
– Ndërsa në Malavec nuk e fshehin gëzimin për kishën e tyre të re, në Vithkuq konstaton mbizotëruese krenarinë, të skalitur kudo; mjedis, fizionomi dhe karakter të besimtarëve; histori dhe të tashme të tyre. Veç, kjo krenari është e një lloji të veçantë, që do të adhurojë e të përulet në lavdi të Perëndisë. Dëshmi të saj janë kishat e vjetra madhështore, para të cilave çdo gjë: natyrë, njerëz, histori përkulen, me qëllim të vetëm lavdërimin e Perëndisë. Veç, aty, në lartësitë e Vithkuqit patëm rastin e hidhur, me dhimbje therëse të shohim marrëzinë njerëzore t’i kundërvihet madhështisë hyjnore. Në kishën e mrekullueshme “Apostujt Petro dhe Pavli”, që ende (si shumë kisha të tjera) zotërohet nga Instituti i Monumenteve, ishin të pranishme dhe të ditës, shenjat e qëndrimit të bagëtisë brenda në të. Vërtet, Perëndia na ka dhënë liri absolute, që arrin deri te mundësia e mohimit të Tij, por, a mund të jemi autorë, neglizhues ose tolerantë të një sakrilegji të tillë, ne që ende vuajmë pasojat e largimit nga Perëndia në të shkuarën. Kur Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale, mes vështirësish dhe pengesash shumënatyrëshe, përpiqet të ngrejë kisha të reja kudo; çfarë logjike mund t’i përshtatet mosdorëzimit KOASH të shumë Kishave të vjetra, në vitin e 3-të lirisë fetare?
– Më tej, momentet e përjetuara në kishat e reja parafabrikate të porsambaruara në Ersekë dhe Borovë, dëshira e zjarrtë e besimit, e mishëruar në pjesëmarrjen e jashtëzakonshme, ndonëse ishte hera e parë që ndiqnin Liturgji Hyjnore, në Kishë të re, të shërbyer nga Kryepiskopi, janë dëshmi jete, shenja prove të Perëndisë, burim shpresash legjitime për të ardhmen.
– Njëkohësisht, këmbëngulje e rehovarëve që Kryepiskopi t’i vizitojë edhe ata, t’u japë bekim, t’i ndihmojë të restaurojnë kishat e tyre të rrënuara. Mikpritje mbresëlënëse, të cilat kontribuojnë në të njëjtën rrjedhë mendimi, që s’të ndahet as në Përmet ditën e Metamorfozës së Shpëtimtarit, ku u hirotonis dhiakon Athanas Qerimi, as në Gjirokastër; as në kishat e reja që ndërtohet në fshatrat Palokastër dhe Humelicë, ashtu edhe në Manastirin e vjetër të Metamorfozës së Shpëtimtarit në Nokovë të Lunxhërisë.
Veç, themelimi i Kishës së “Shën Gjergjit në fshatin Shkallë të Sarandës anon edhe më tepër nga emocionet. Banorët e fshatit, nomadë gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre, mbartin në shpirt diçka nga madhështia e Vithkuqit, por që diktatura nuk u la kurrë hapësirë për t’u shprehur, aq më tepër që deri edhe ndërtimi i shtëpive të reja qe një ëndërr e ndaluar nga regjimi, edhe kur egzistonte mundësia. Veç tani, që ka shpërthyer ndërtimi i banesave të reja, sikur nuk u pëlqente të mos ishte Kisha godina e parë e re që do të ndërtohet në fshat. Ndërsa në qytetin e Ksamilit, Kryepiskopi themeloi Kishën e re “Ngjallja e Krishtit”…
Veçse, Ngjallja e Kishës s’mund të jetë ndryshe nga ajo e Krishtit, trupi mistik i të cilit është. Ashtu si për Ngjalljen e Krishtit edhe për atë të Kishës, ka nga ata që nuk e besojnë, nga ata që e paragjykojnë, nga ata që shpifin…, madje edhe nga ata që dëshirojnë ta rikthejnë në Kryq, ngaqë s’e kuptojnë se Kryqi dhe Ngjallja janë një unitet?
Por, mbi të gjitha, ka gjithmonë nxënës të Krishtit, madje edhe nga ata që i ngjajnë shën Thomait, të cilët, jo vetëm e besojnë, por dhe jetojnë punojnë dhe sakrifikojnë çdo gjë për Ngjalljen e Kishës së Krishtit.
Korresp. i “Ngjalljes”
Kisha e re e Shën Stefanit në fshatin Malavec.