EmailFacebookKontakt

Jo vetëm mjet i thjeshtë informativ

Me bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit tonë Imzot Anastasit, sot del numri i parë i gazetës kishëtare “Ngjallja”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Është menduar që kjo gazetë të mos jetë një mjet thjesht informativ i punës që është kryer dhe po kryhet për ringritjen dhe riorganizimin e Kishës tonë Orthodhokse Autoqefale, të mos jetë mjet i thjeshtë informativ i zgjidhjes së problemeve urgjente që e preokupojnë Kishën: siç janë p.sh. vazhdimi i përgatitjes dhe i hirotonisjes së klerikëve të rinj për të plotësuar dalëngadalë nevojat dhe shërbimet shpirtërore të besimtarëve orthodhoksë në të gjitha famullitë e qyteteve e të fshatrave, ai i riparimit, i ndërtimit dhe i pajisjeve të shumicës së kishave të shkatërruara që qëndrojnë akoma të mbyllura, ai i rishikimit dhe i ribotimit të teksteve kishëtare liturgjike në gjuhën shqipe pa të cilat s’mund të kryhen shërbimet përkatëse fetare, ai i krijimit dhe i organizimit të bazës ekonomike të saj me rikthimin nga ana e shtetit të pasurive, të pronave dhe të fondeve të konfiskuara e të shtetëzuara. Ajo nuk do jetë së fundi një mjet thjesht informativ i veprimtarisë së Kishës në sferën panorthodhokse e pankristiane.

Gazeta “Ngjallja” do të jetë dhe një organ shpirtëror. Në çdo numër të saj, ajo do të botojë edhe artikuj e studime të shkurtëra teologjike nëpërmjet të cilëve i krishteri orthodhoks do të marrë njohuritë më të domosdoshme mbi parimet e larta ungjillore lidhur me jetën, me familjen, me shoqërinë, me kombin, do të marrë njohuri të tilla që ai të formojë në vetvete bindje të shëndosha se historia na mëson që, në luftën midis fuqive shpirtërore e materjale, në përpjekjet midis arsyes e të forcës brutale, fitues gjithnjë kanë dalë forcat shpirtërore dhe parimet e pavdekshme të drejtësisë, të dashurisë, të vëllazërimit. Ajo, nëpërmjet artikujve që do të botohen, nuk do të pushojë të vërë në dukje dashurinë, tolerancën, harmoninë që duhet të karakterizojnë jo vetëm besimtarët orthodhoksë, por të gjithë popullin shqiptar dhe nuk do të pushojë së ndikuari për zbutjen e mërive të krijuara në gjirin e shoqërisë tonë gjatë kohës së kaluar. Ajo herë pas here do të botojë pjesë të shkëputura nga librat e shkrimit të shenjtë dhe nga veprat madhore të etërve të shenjtë, të himnologjisë liturgjike dhe të agjiografisë tonë kishëtare, në mënyrë të veçantë për shënjtorët vendas.

Gazeta “Ngjallja” do të pranojë me gëzim bashkëpunimin e besimtarëve tanë orthodhoksë dhe të intelektualëve tanë të shumtë, të cilët me mendimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre, gjithnjë brënda normave dhe traditës tonë kishëtare orthodhokse dhe për problеme që kanë lidhje me Kishën, do të japin kontributin e tyre, për një riorganizim sa më të plotë të saj.

Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale, besnike në traditat e saj fetaro-kombëtare, do të vazhdojë edhe nëpërmjet gazetës “Ngjallja” të kontribuojë, në bashkëpunim vëllezëror dhe me komunitetet e tjera fetare të vendit, në ringjalljen shpirtërore të popullit tonë. Zoti na ndihmoftë.

B.