Atë Jani lindi më 17.2.1880 në Janinë, në lagjen Karavathja (Greqi) në një familje të varfër qytetare. Mësimet e para i mori në Liceun «Zosimea». Në vitin 1904 emigroi për arsye ekonomike nga Janina në Berat së bashku me familjen: me nënën, vëllanë Koço dhe motrën Areti. Babai u vendos në Berat si mësues. Në Berat qëndroi deri në vitin 1907 dhe shkon në Përmet ku vazhdon detyrën e mësuesit. Atje jep lëndën e gjuhës shqipe e të gjuhës greke. Gjuha greke ishte e domosdoshme për të mësuar djemtë e tregtarëve që kishin lidhje tregtare me Greqinë. Po në këtë vit martohet me Polikseni Thomain, që ishte nga fshati Lipë i Përmetit. Si mësues vazhdoi deri më 1925.
Më 1925 u hirotonis në dhjak e më vonë prift nga dhespoti i Korçës – Atë Jani. Qëndroi në Përmet deri në vitin 1929, dhe transferohet në prefekturën e Korçës. Ai shërbeu në Voskopojë në kishën e shën Prodhomit, në Dishnicë e në Zvirinë të Maliqit. Shkoi përsëri në Përmet, ku predikoi Ungjillin e Shenjtë, anët morale të familjes dhe kjo është shprehja kryesore e jetës së tij. Ishte shumë inteligjent, me njerëzit kishte një takt të veçantë. Çdo gjë e lidhte me Jisu Krishtin, ishte human, tolerant e pa fjalë të mëdha. Atë Jani vdiq më 24 maj 1952. Megjithëse fëmijët nuk iu ndodhën pranë në varrim, kishte shumë priftërinj të tjerë që e donin shumë. Të dhënat janë marrë nga djali i tij, Lluka Jani Poroveli.
Atë Jani Ranxha (Elbasan)