EmailFacebookKontakt

Jetëshkrim i shkurtër i Mitropolitit të ri

Hirësia e tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Asti (Bakallbashi), lindi në Durrës, në vitin 1974. Ai kreu studimet teologjike në Seminarin Teologjik Hieratik, në Durrës (1993-1997), në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (1998-2003), dhe studimet pasuniversitare (master) në Homelitikë në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (2010-2012).

U dorëzua Dhjakon (gusht 2003), Kryedhjakon (i Kryepiskopatës) (nëntor 2006), Hieromonak (nëntor 2009), Arkimandrit (nëntor 2009) dhe Episkop, si Episkop Titullar i Bylisit (janar 2012).

Nga vitit 2012 ka shërbyer si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit dhe, nga fillimi i vitit 2018 si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.

Krahas veprës liturgjike dhe pimantike, ka shërbyer edhe në disa sektorë të tjerë të Kishës: Në administratën e Kryepiskopatës së Tiranës, si pedagog i jashtëm i Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit, ku ka dhënë lëndën e Liturgjikës (2004-2017) dhe të Homelitikës (2015-2017); ka qenë bashkëpunëtor dhe bashkëdrejtues i Stacionit Radiofonik “Ngjallja” (2005-2018), bashkëdrejtues i Lidhjes Rinore të Mitropolisë së Tiranës (2010-2018) dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (2018 deri më sot).

Gjatë shërbimit të tij, ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në takime të ndryshme ndërorthodhoske dhe ndërkristiane.