EmailFacebookKontakt

Jeta monakale në Kishën e krishterë

Jeta monakale në Kishën e krishterë e ka fillin që në shekujt e parë të historisë së formimit të saj.

Jeta e të krishterëve në shekujt e parë të krishtërimit ka qenë një jetë model, një jetë shembullore. Çdo i krishter e quante veten ushtar të Krishtit dhe vëlla me gjithë njerëzit. Dashuria dhe solidariteti qenë baza kryesore në marrëdhëniet midis tyre dhe me të tjerët. Detyra si ushtarë të Krishtit madje u impononte atyre të rezervoheshin nga disa akte të praktikuara nga paganët, sidomos nga ato që kishin lidhje me idhujt. Ata p.sh. nuk merrnin pjesë në shfaqjet teatrale, sepse pjesa më e madhe e shfaqjeve kishin përmbajtje imorale, as në ato të cirkut e të amfiteatrove ku kryheshin ndeshje të përgjakshme midis kafshëve të egra dhe njerëzve. Ata nuk merrnin pjesë gjithashtu as në drekat dhe darkat dhe festat e ndryshme që jepeshin për nder të idhujve, në lodrat e fatit, në tregtinë e skllevërve e çdo lloj tregtie që kish lidhje me jetën pagane.

Rregulli që ndiqte i krishteri në zgjidhjen e praktikimin e një mjeshtërie, në distraksionet dhe në jetën e tij në përgjithësi, qenë fjalët e Apostull Pavlit: “Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha më sjellin dobi”.

***

Shumë nga të krishterët nuk kënaqeshin vetëm me këtë lloj jete, por mbanin kreshmë dhe faleshin pothuaj bashkarisht, nuk martoheshin dhe pasurinë e tyre ua ndanin të varferve. Me këto veprime ata besonin se mund të arrinin një shkallë më të lartë përsosmërie monakale dhe se do të fitonin më shpejt shpëtimin.

Kjo mënyrë jetese u quajt ashetizëm, domethënë ushtrim, stërvitje, dhe ai që e përjetonte u quajt asket.

Manastiret, qendra shpirtërore, kulturore dhe historike të Orthodhoksisë

Në fillim asketët jetonin në gjirin e shoqërisë, pranë njerëzve. Mirëpo me kohë, disa prej tyre duke ndjekur shembullin e profetit Ilia, të Shën Joan Pagëzorit dhe të Shpëtimtarit, të cilët një pjesë të jetës së tyre e kaluan në shkretëtirë, u tërhoqën nëpër shkretëtira ku kanë kaluar tërë jetën e tyre në agjërim e falje. Prandaj këta morën emrat: monakë ose murgj, që do të thotë “të vetëm”, eremitë, që do të thotë “njerëz të shkretëtirës” dhe anakoretë, që do të thotë “të shkëputur”.

Në kohën e përndjekjeve të mëdha të krishtërimit nga perandorët e Romës dhe sidomos gjatë përndjekjes së shpallur nga perandori Decimo (249-251 pas Kr.) shumë nga të krishterët, sidomos nga ata të Egjiptit, qenë detyruar të ikin nëpër shkretëtirat, veçanërisht në atë të Tebës dhe atje të kalojnë një jetë të vetmuar. Ndër ta qe dhe Shën Pavli nga Teba, i cili konsiderohet si themeluesi i monakizmit. Pak më vonë, një anakoret tjetër i shquar, Shën Andoni i Madh (+356) nga Aleksandria, u tërhoq në shkretëtirë, pasi shpërndau më parë ndër të varfërit tërë pasurinë e tij. Rreth tij qenë mbledhur shumë anakoretë, të cilët jetonin në tenda dhe bënin të njëjtën jetë.

Nxënësi i tij Shën Pohomi (gjysma e dytë e shek. III) vendosi në monakizëm jetesën e përbashkët duke i përmbledhur monakët në një qendër, me qehtë afër njëri-tjetrit. Në manastirin e themeluar prej tij (viti 320 pas Kr.) në një ishull të Egjiptit të sipërm, qenë mbledhur rreth 3000 kallogjerë, të cilët më vonë arritën shifrën 50000.

Shën Vasili i Madh (+379) i dha monakizmit një orientim të ri, duke shpërngulur manastiret nga shkretëtirat, në afërsi të fshatrave e të qyteteve për t’i vënë në shërbim të njerëzisë. Po ky caktoi dhe rregullat sipas të cilave udhëhiqen gjer më sot të gjithë manastiret orthodhokse. Monakizmi i ka sjellë një dobi të madhe Kishës. Në kohë të vështira për të, monakët kanë mbrojtur besimin e vërtetë, bile me çmimin e jetës së tyre. Manastiret kanë qenë vazhdimisht qendra strehimi dhe bamirësie për udhëtarët, të sëmurët dhe të varfërit, qendra kulture dhe arsimore për të rinjtë, fidanishte të vërteta për kuadro kishtare në tërë botën orthodhokse.

***

Në Shqipëri siç e pamë në të dy numrat e kaluar të gazetës “Ngjallja”, ka patur në funksionim gjer në vitin 1967, 66 manastire, gjë që provon se në Kishën tonë në të kaluarën jeta dhe veprimtaria monakale ka qenë mjaft e gjallë, shpresëtaria orthodhokse që i ka ngjitur këto institucione shpirtërore, bamirëse dhe kulturore artistike ka qenë shumë e madhe dhe roli që ata kanë lojtur në edukimin moral të besimtarëve orthodhoksë ka qenë i lartë. Çdo manastir, nga ai më i thjeshti e më i largëti e deri te ai më i madhi e madhështori, ka qenë një monument shpirtëror dhe artistik me vlerë historike, me Kishën e tij të pikturuar pjesërisht apo tërësisht, me ikonostasin të mbushur me ikona me vlerë, me amvonë dhe fron igumenial të skalitur, me objekte dhe enë artistike, me ndërtesa dhe kambanare përreth, me tokë të dhuruar copë-copë nga besimtarët, me historikun e themelimit e të zhvillimit të tij të shënuar ndër kodikët, me bibliotekën plot me dorëshkrime dhe libra me vlerë, e të tjera e të tjera, dëshmi e dokumente të gjalla për historinë e vendit e të popullit tonë. Çdo popull i qytetëruar që ka fatin të ketë monumente të tilla, i ruan me kujdes e interesohet për mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre. Madje dhe pushtuesi osman i ka respektuar dhe i ka mbrojtur deri në njëfarë shkalle.

Po ja që një dekret ambicioz i vitit 1967 dhe i vetëm në analet e historisë, i regjimit ateist-komunist, mjaftoi që tërë ky thesar, i krijuar shekuj me radhë nga shpirti krijues e artistik i popullit tonë shpresëtar orthodhoks, të shkatërrohet, grabitet e zhduket, me pretekst gjoja se qenë “institucione mashtruese dhe ushqyese të bestytnive e besimeve të kota fetare, të dëmshme për popullin”. Ka shpëtuar vetëm një përqindje fare e vogël prej tyre që ishin shpallur si monumente kulture.

Sot, pjesa dërmuese e këtyre manastireve, të braktisura në mëshirën e fatit e në gjendje si mos më keq, presin përsëri dorën ndihmëse të besimtarëve orthodhokse, kujdesin dhe interesimin e veçantë të këshillave kishtare e të epitropive të qyteteve e të fshatrave pranë të cilëve ndodhen, presin ndërhyrjen dhe kontributin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për ringritjen, restaurimin dhe organizimin e tyre, në mënyrë që ata të jenë përsëri në gjendje të lozin rolin e tyre shpirtëror, bamirës e kulturor, që kanë luajtur edhe në të kaluarën. Ky qe dhe qëllimi ynë kryesor me botimin e emrave të tyre dhe të qyteteve e të fshatrave pranë të cilëve ata qenë ngritur.

Dhimitër Beduli