Kryeministri i Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis, i ndodhur në Tiranë në kuadrin e Samitit BE – Ballkani Perëndimor dhe në vijim, për bisedime dypalëshe me Qeverinë dhe autoritetet shtetërore të vendit tonë, pasditen e së martës, 6 dhjetor, bëri një vizitë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në Selinë e Sinodit të Shenjtë Kryeministri grek, Ministri i Punëve të Jashtme z. Nikos Dendias dhe delegacioni që e shoqëronte, u prit ngrohtësisht nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi.
Vizitori i lartë shprehu gëzimin e thellë për takimin me Kryepiskopin, duke veçuar faktin se çdo takim i tillë është nder dhe emocion i veçantë. Ai shprehu gjithashtu konsideratën e thellë personale dhe njëherësh të mbarë popullit helen për veprën e mrekullueshme që prej më shumë se tridhjetë vjetësh realizohet në ringritjen e besimit Orthodhoks dhe njëherësh prosperitetin social. “Është i madh gëzimi kur ju takoj personalisht sa herë vini në Athinë dhe tani këtu në Tiranë, në selinë tuaj, që t’ju përgëzoj edhe një herë tjetër për veprën tejet të rëndësishme që realizoni këtu, prej më se tridhjetë vjetësh. Jeni me të vërtetë urë miqësimi mes dy vendeve”.
Në një ditë mjaft të veçantë, si ajo e Samitit mbarevropian, Kryepiskopi gjeti rastin të theksojë faktin se Kisha Orthodhokse ka qenë në avangardë të përpjekjes për të qenë të përkushtuar në procesin e integrimit vendi dhe shoqëria jonë; ndërsa personalisht ai ka qenë faktor ndikues për të përcaktuar orientimin proevropian të saj. Ideja kryesore e Kryepiskopit, që i drejtohej opinionit të brendshëm dhe kryesisht atij evropian, për të ndikuar me vendimmarrje të rëndësishme, mbetet motoja se Shqipëria nuk është një cep i neglizhuar i kontinentit. Ka qenë dhe mbetet pjesë integrale e Evropës, jo vetëm për nga pozicioni gjeografik, por kryesisht nga konteksti historik, kulturor e shoqëror.
Në mbështetje të fjalëve bujare të vizitorit të nderuar, Kryepiskopi tha: “…shpeshherë më pyesin për sa kanë ndodhur gjatë këtyre tridhjetë viteve dhe gjithashtu çfarë prej këtyre është më e rëndësishmja. U tregoj për kishat që u ndërtuan, 150 syresh, dhe të tjera institucione, por ajo që është më e veçanta është fakti se për tri dekada jam pranë me popullin, me dhimbjet, me hidhërimin, me pikëllimin, me dëshpërimin, me shpresën e shoqërisë. Më e rëndësishmja është që njerëzit duan… dhe nga momenti i parë, më duhet t’ju them se, në një epokë me predispozita dhe orientime të dyshimta, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte ajo që me zë të lartë thërriste se vendi i Shqipërisë është në Evropë…”.
I shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas, Kryeministri i Greqisë vizitoi Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku mësoi si për karakteristikat e saj arkitektonike dhe interierin e pasur, rolin që ka marrë në jetën adhuruese të besimtarëve, por edhe për faktin se Katedralja tanimë është një element i spikatur kulturor për kryeqytetin.
O. B.